Arbëri

Kryeministri për “non-paper”: Kosova s’lejon shkëmbim territoresh e as bosnjëzim

Edhe pse thotë se përgjigja më e mirë për “non-paperat” për dialogun me Serbinë është “no comment”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë ringjalljen e projekteve për shkëmbim territorial e as atyre për bosnjëzim të vendit.

Nga Brukseli, ku është për vizitë dy ditore për takime me krerë të Bashkimit Evropian, Kurti ka thënë se Kosova s’ka dilema për çështjen e dialogut me Serbinë.

Të hënën, KOHA publikoi një dokument që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Dy shtetet kanë mohuar se kanë gisht në këtë dokument, por s’e kanë mohuar se ai ekziston. Për letrën që parashihte që të dyja palët do të duhet të respektojnë moratoriumin në skenën ndërkombëtare, e që propozonte që secila palë të respektonte sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër dhe parashihte edhe një “distrikt autonom i Kosovës veriore”.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-paerave’ më së miri është t’u përgjigjemi me ‘No Comment’ sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori e as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë para një viti, por para 13 vjetëve. 4 vitet e para pas shpalljes së pavarësisë ishte pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema. BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera, edhe destinimi ynë. Por në të njëjtën kohë raportet në Ballkan do të mund t’i rregullojmë me dialog parimor e të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo temë dhe gjithashtu me barazi qysh në pikënisje. Jemi të bindur se vetëm dialogu ku qytetarët janë përfitues është dialog i vërtetë dhe i dobishëm që sjell marrëveshje të qëndrueshme dhe zbatueshme dhe jo mënyrat e vjetra ku preokupimi është si t’i shpëtohet lëkura një politikani apo tjetri”, ka deklaruar ai para gazetarëve.