Arbëri

Kryeministri nuk tregon nëse do të takohet me Vuçiqin më 11 maj

Descriptive Text

Pyetjeve të gazetarëve lidhur me takimin e paralajmëruar për 11 maj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u është përgjigjur kryeministri Albin Kurti.

Përveç nëse do të marrë pjesë në këtë takim e për të cilin ende nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare, ai nuk tregoi nëse do të diskutojë me Vuçiqin për personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Një ditë më parë lidhur me datën e përmendur për vazhdimin e dialogut kanë reaguar nga Qeveria duke e konsideruar atë si imponuese. Por nuk kanë pranuar të përgjigjen për pjesëmarrjen e tyre në këtë takim nëse marrin ftesë.

Megjithëkëtë, të martën kreu i Qeverisë është nisur për në Bruksel, ku do të takohet me krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas Augustin Palokajt, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë një nga temat e takimeve që kryeministri Kurti do të ketë.

“Tema kryesore e këtyre takimeve natyrisht është procesi i reformave në Kosovë, bashkëpunimi i Kosovës me BE-në por gjithsesi do të ngritet edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të cilin e lehtëson Bashkimit Evropian”, ka thënë Palokaj, korrespodent i KOHËS nga Brukseli.

Kryeministri ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku tha se ka përsëritur se dialogu nuk është top-prioritet i Qeverisë, porse ka garantuar se do të angazhohet në dialog.

Një ditë para udhëtimit për në Belgjikë, Kurti ka diskutuar me zëvendësndihmësin amerikan, Mathew Palmer, e me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në një postim në Twitter ambasadori amerikan ka thënë se “dialogu i udhëhequr nga BE-ja mbetet esencial për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimet euroatlantike”.

“Diskutim i gjerë dhe produktiv me Kryeministrin Albin Kurti dhe Matt Palmer nga departamenti i shtetit mbrëmjen e kaluar. Dialogu i udhëhequr nga BE mbetet esencial për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimet euro-atlantike”, ka shkruar Philip Kosnett, ambasador i ShBA-së në Kosovë.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, të hënën përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë që në takimin e radhës synon të bëjë të qartë se sa i rëndësishëm është vazhdimi i dialogut.