Arbëri

SHBA-ja do të punojë me Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e zotimeve të Washingtonit

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar një “non-paper” që paraqiste vija të reja kufitare në Ballkan si zgjidhje përfundimtare për rajonin teksa kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë zotimet e nënshkruara më 4 shtator në Washington.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, është thënë se “e ardhmja duhet të fokusohet tek qeverisja e mirë”.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme stabile, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Sa i përket çështjes së Kosovës, Departamenti i Shtetit ka theksuar se e përkrah dialogun me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh “të përqendruar në njohje reciproke”.

“Ne përkrahim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe inkurajojmë palët të riangazhohen në këtë proces me urgjencë për të adresuar çështjet teknike e politike. Do të punojmë me Serbinë e Kosovën që të zbatohen Zotimet e Washingtonit me qëllim të normalizimit të plotë”, ka thënë DASH-i.

Në një njoftim për media për “Përkushtimin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”, Departamenti i Shtetit ka kërkuar përkushtim të këtyre shteteve dhe për t’u rezistuar “manipulimeve energjetike nga Rusia duke zhvilluar një sistem të larmishëm burimesh të energjisë së pastër, si dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”

“Ne gjithashtu duam të ndihmojmë rajonin drejt begatisë dhe rritjes ekonomike, ndërkohë që mbrohet infrastruktura dhe industritë e tij nga praktikat keqbërëse të Kinës” thuhet në deklaratë.

SHBA-ja ka thënë se e vlerëson partneritetin e saj në mbrojtje dhe siguri me aleatët e rinj të NATO-s, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. DASH-i ka mirëpritur progresin e arritur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma dhe ka shprehur përkrahjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.