Arbëri

Brenda dy ditësh, ministrat obligohen t’i dorëzojnë kontributet për programin e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti ka urdhëruar ministrat që brenda dy ditësh, t’i dorëzojnë kontributet për programin e Qeverisë. Ndonëse pati dhënë zotimin se dokumenti do të miratohet me t’u kthyer nga vizita në Bruksel, kreu i Qeverisë tani ka thënë se këtë do ta bëjë tek javën e ardhshme. Për programin pati polemika edhe në seancën plenare të Kuvendit

Shefi i Qeverisë e ka vënë afatin e skajshëm, brenda të cilit ministrat janë të obliguar t’i përcjellin në Zyrën e Kryeministrit planet strategjike dhe operacionale, që do të bëhen pjesë e programit qeverisës. E, ky dokument synohet të vihet për votim tek javën e ardhshme.

“Ju lutem që deri këtë të mërkurë, në mesditë, pra i bie pasnesër në ora 12, t’i dërgoni te zyra për planifikim strategjik në ZKM, dhe te shefi i stafit tim, Luani, versionet finale të planeve tuaja përkatëse”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë. “Sepse, synimi ynë është që në javën e ardhshme ta sjellim në mbledhje të Qeverisë, e pas miratimit edhe ta dërgojmë në Kuvend për diskutim programin tonë qeverisës, si dhe planin tonë të punës”.

Ndonëse kanë shkuar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve nacionale e një muaj prej kur është formuar Qeveria, ende nuk është finalizuar programi, në të cilin duhet të udhëhiqet gjatë gjithë mandatit.

Opozita vazhdimisht e ka kritikuar për këtë.

Madje, një polemikë mes deputetëve të të dyja kampeve ka pasur për këtë, në nisje të seancës plenare të së hënës.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit parlamentar të AAK-së në opozitë, ka kritikuar ekzekutivin për qeverisje pa program.

“Sot, kur po e nisim një seancë ku do të debatohet për pandeminë dhe zhvillimin ekonomik, Qeveria Kurti dhe ministrat që i udhëheq ky kryeministër nuk kanë arritur t’i paraqesin tri objektiva para qytetarit secili veç e veç. Në mungesë të këtij programi, shihet shumë qartë dhe shumë saktë se e gjithë puna është ad-hoc. Gjithë puna ndodh nga çka i shërbehet kryeministrit, ministrave në tavolinë”, ka thënë deputeti Tahiri, në seancën plenare të së hënës. “Është e pajustifikueshme që për 40 ditë ... të mos kemi një dokument me të cilin ju u adresoheni qytetarëve dhe u adresoheni çështjeve. Në mungesë, po i lëvizni prioritetet, po e lëvizni dialogun nga pika e gjashtë në pikën e parë dhe po thoni që do të shkojë në Bruksel dhe pastaj do të bëjë një program qeveritar”.

I është kundërpërgjigjur Mimoza Kusari, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit parlamentar të LVV-së në pushtet.

“Ju që ishit bashkë qeveria e PAN-it, a e mbani mend kur e ka prezantuar qeveria Haradinaj në këtë Kuvend programin qeverisës? Më 10 shtator, e keni pritur pesë orë Listën Serbe me ardhë prej Beogradit me e marrë aminin e Vuqiqit e me e votu. Pesë orë. Në orët e mbrëmjes është votu. Më 7 dhjetor 2017 e ka prezantu z. Haradinaj programin qeverisës. Më 7 dhjetor”, ka thënë deputetja Lila. “Çka keni bërë prej 10 shtatorit deri më 7 dhjetor? Çka keni bërë përveç faktit se keni deklaruar se në mandatin e juaj ka me u përmbyllë dialogu me Serbinë, se me mandatin e juaj ka me funksionu sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik”.

Dy ditë më parë, Kurti paralajmëroi se menjëherë pasi të kthehet nga Brukseli, do ta paraqesë për miratim në Kuvend programin e Qeverisë, prej kur do të fillojë edhe agjendën transformuese.

Do të udhëtojë të martën për në kryeqendrën e BE-së. Në kabinetin e tij kanë treguar për takimet.

“Do të ketë një vizitë dyditore, ku do të ketë takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë. “Prej tyre, më të rëndësishmet janë takimi me presidenten e Parlamentit Evropian, presidenten e Komisionit Evropian, përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, z. Borell si dhe komisarë të ndryshëm e të rëndësishëm”.

Ndonëse do të kthehet të enjten nga Brukseli, Kurti do ta vërë në rend dite programin tek javën e ardhshme dhe jo menjëherë siç e ka dhënë zotimin në vikend.