Arbëri

Kosova pa konsensus politik drejt fazës finale të dialogut me Serbinë

Descriptive Text

Në kohën kur Qeverisë Kurti i është shtuar presioni ndërkombëtar për t’u marrë me dialogun Kosovë-Serbi, opozita e ka të paqartë qasjen e ekzekutivit ndaj këtij procesi. PDK-ja ka lënë të kuptohet se nuk do të bëhet pjesë e bisedimeve, derisa LDK-ja një ftesë eventuale të tillë për opozitën e vlerëson paaftësi të Qeverisë për ta drejtuar dialogun. Arritjen e konsensusit politik në Kosovë, së paku për vijat e kuqe të negociatave, e vlerësojnë tejet të rëndësishëm njohësit ndërkombëtarë të çështjeve të Ballkanit

Qasjen e Qeverisë ndaj dialogut, partitë opozitare e konsiderojnë të paqartë. Derisa ekzekutivi ende nuk ka prezantuar ndonjë platformë për bisedimet me Serbinë, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë deklaruar se synojnë edhe përfshirjen e opozitës në këtë proces.

Por, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si partia më e madhe në opozitë, ka dhënë sinjale se nuk do të bëhet pjesë e bisedimeve. Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se deri më tani në adresë të partisë nuk ka shkuar asnjë dokument mbi të cilin do të zhvillohen bisedimet.

“Nuk kemi parë apo pranuar ndonjë dokument mbi të cilin do të zhvillohen bisedimet. Qeveria Kurti nuk ka prezantuar ndonjë program të qeverisjes, objektivat për politikën e jashtme mungojnë, kështu që ne vetëm mund të hamendësojmë për qasjen e Qeverisë në lidhje me këtë temë. Mirëpo, për PDK-në roli ynë si parti opozitare është shumë i qartë dhe ne nuk do të dalim përtej këtij roli që bazohet mbi vullnetin e qytetarëve nga zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka deklaruar Bytyçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës e quan paaftësi të Qeverisë ftesën eventuale për pjesëmarrjen e opozitës në dialogun në Bruksel. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Muhamet Hamiti, ka thënë se nuk kanë pranuar deri më tani ftesë për t’u bërë pjesë e delegacionit të Qeverisë, teksa ka shtuar se një gjë e tillë nuk është as kërkesë e LDK-së.

“Qeveria duhet ta dëshmojë se është e zonja ta qeverisë vendin dhe t'i drejtojë punët e Kosovës edhe në rrafshin e dialogut. E ka thënë se mund ta bëjë më mirë, tash e ka rastin ta bëjë këtë. Nëse del se nuk është e zonja duhet ta thotë se e do ndihmën e opozitës dhe sigurisht opozita do ta bëjë këtë në Kuvend”, ka theksuar ai.

Hamiti, i cili është pjesë edhe e Departamentit për Politikë të Jashtme të LDK-së, ka thënë se Qeveria mund të llogarisë në përkrahjen e partisë së tij vetëm nëse nuk cenohet integriteti territorial i vendit.

“Statusi i Kosovë, rendi kushtetues dhe kufijtë e Kosovës nuk guxojnë të preken dhe ne presim që Qeveria ta bëjë dialogun, të mos hezitojë të hyjë në dialog sepse Serbia nuk e ka përnjëmend, por ajo po gjen mënyra për të thënë se ‘ja, Kosova nuk do’. Duam ta përfundojmë këtë punë më shpejt, sepse gjendja e status quo-së nuk i ndihmon as Kosovës, as rajonit”, ka thënë Hamiti.

Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit të saj Ardian Gjini, është se nuk mund të ketë vendimmarrje pa përfshirjen e tërë akterëve politikë.

“Çfarë formati do të kenë, i takon Qeverisë të vendosë. Fundi i fundit, barrën kryesore e kanë ata. Por, nuk mund të ketë vendimmarrje afatgjate për Kosovën pa qenë i gjithë spektri politik aty. Edhe Kushtetuta dhe numrat e lypin një gjë të tillë. Qeveria duhet të tregojë çka beson, nëse nuk di të tregojë çka beson do të kemi probleme gjithmonë”, ka deklaruar Gjini.

Arritjen e konsensusit politik ndërmjet pushtetit e opozitës për fazën finale të dialogut e vlerëson parësor njohësi gjerman i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Bodo Weber.

Weber ka thënë se përfshirjen aktive të Gjermanisë për përshpejtimin e dialogut e dëshmoi edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, i cili javën e kaluar vizitoi Kosovën dhe Serbinë.

“Është njëmend e rëndësishme që Qeveria t’i qaset opozitës asisoj që edhe nëse nuk arrihet marrëveshje për pjesëmarrje aktive në negociata të kësaj të fundit, të paktën të vendoset unitet mbi parimet bazë: pikënisjen dhe vijat e kuqe, se rreth çkahit është e gatshme Kosova të bëjë kompromis dhe për çfarë nuk bën dhe nuk duhet të lëshojë pe”, është shprehur Weber.

Në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, Qeveria, sipas Weberit, do ta ketë të vështirë vazhdimin e negociatave pa ofruar siguri se marrëveshja përfundimtare do ta ketë mbështetjen e ligjvënësve kosovarë.

Mungesa e unitetit për dialogut me Serbinë e karakterizon këtë proces që nga nisja e tij para 10 vjetësh. Shkuarja në Bruksel pa konsensus ndërmjet partive ka polarizuar vazhdimisht skenën politike kosovare, ku për pasojë disa marrëveshje të nënshkruara janë kundërshtuar, shpesh edhe në mënyrë të dhunshme.

Javën e ardhshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takime të ndara në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së. Mundësia e një takimi Kurti-Vuçiq është mohuar nga Qeveria e Kosovës, derisa një i tillë është thënë se ka gjasa të organizohet në muajin maj.