Arbëri

SHBA mbështet mandatimin e Zaevit për kryeministër të Maqedonisë

Pas lajmit se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i kishte paraqitur Presidentit Gjorgje Ivanov 67 firmat e nevojshme për të siguruar mandatin qeverisës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup doli me një deklaratë ku kujton domosdoshmërinë e respektimit të proceseve demokratike.

“Pajtohemi plotësisht me qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me ato të Komisionerit Europian, Johanes Hahn për formimin e qeverisë”, thotë misioni diplomatik amerikan.

“Të gjitha partitë duhet t’i respektojnë proceset demokratike dhe institucionet e të fokusohen në angazhimet e tyre të përbashkëta në zbatimin e reformave kyçe. Vetëm në këtë mënyrë vendi do të përparojë në angazhimet e tij strategjike për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Europian, procese këto të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështesin prej kohësh tashmë. Ky qëndrim është në një linjë edhe me pohimet e bëra nga ambasadori Xhes Bejli gjatë një interviste për Tv ‘Sitel’ më 18 shkurt”, sqarohet në deklaratë.

Shefi i NATO-s, Stoltenberg u shpreh më herët se pret që Ivanov t’ja japë mandatin e formimit të qeverisë së re partive të cilat kanë arritur të sigurojnë shumicën në Parlament. Me një qëndrim të ngjashëm doli edhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn.

Zaevi i dorëzoi të hënën kreut të shtetit 67 nënshkrimet e deputeteve të partisë së tij, BDI-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët. Lideri social-demokrat foli për një ditë historike, edhe pse Ivanov ende nuk e ka mandatuar.

Firmat, sipas tij, bëjnë të mundur kapërcimin e krizës dhe lejojnë që vendi të ecë përpara. Kabineti i Presidentit maqedonas la të kuptohej se ai do ta bëjë publik gjatë këtyre ditëve vendimin e tij.