Arbëri

Oda e Mjekëve del me sqarim: Padia ndaj MSH-së u dorëzua në gjykatë në kohën e ministrit Zemaj

Descriptive Text

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se padinë ndaj MSH-së për mospagesë të shtesave e ka dorëzuar në gjykatë më 3 mars, kur në krye të MSH-së ishte Armend Zemaj.

“Padia është paraparë që në përmbajtje të ketë problematikën e mospagesës së shtesave në paga për të gjithë punëtorët shëndetësor gjatë kohës së pandemisë. Sqarojmë opinionin publik se padia për shtesa është dorëzuar në Gjykatë më datë 03 mars 2021 dhe përmes saj është paditur Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga ministri paraprak z. Armend Zemaj, ndërsa tani për këtë procedurë është njoftuar ministri aktual z. Arben Vitija. Mjekët janë ata që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre për t’u përballur me COVID-19, madje kanë sakrifikuar edhe familjet e tyre për ta mundur këtë sëmundje vdekjeprurëse. Mjekët janë ata që kanë qëndruar me përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit. Andaj edhe publikimi i keqinterpretuar i një lajmi te tillë ngre shqetësime nga ana e stafit mjekësor të cilët përballen me probleme të natyrave nga më të ndryshmet. OMK i bënë thirrje mediave për publikimin e lajmeve në mënyrën e saktë dhe jo të marrjes së vëmendjes në forma të tilla, që janë papërshtatshme dhe të papranueshme”, thuhet në sqarimin e Odës së Mjekëve të Kosovës.