Arbëri

Punëtorët teknikë në spitale ultimatum Qeverisë: Shtesat deri në fundjavë ose grevë

Descriptive Text

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që të paguajë shtesat prej 100 euro për punëtorët teknikë në spitale e qendra të mjekësisë familjare deri në fundjavë. Nëse kjo s’bëhet ai ka thënë se punëtorët do të hyjnë në grevë.

“Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të datës 18 shkurt, të gjithë punëtorët teknikë në spitale, ambulanta të Qendrave të Mjekësisë Familjare duhet t’i marrin së paku dy stimulime me nga 100 euro. Në raundin e parë e kemi marrë me kohë, në raundin e dytë është dashtë që me pagën e marsit të jetë edhe pjesa tjetër…ne listat i kemi dorëzuar më 22 mars dhe kemi prit që deri me 4 ose 5 të këtij muaji duhet me dalë, megjithatë ne kemi komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata thonë se kanë pasur disa telashe rreth përpilimit të listave dhe janë deklaruar brenda dy ditëve mjetet që do të dalin tek punëtorët”, ka thënë ai për “EkonomiaOnline”. “Megjithatë ne i kemi dhënë afat pa të drejtë dhe edhe kjo javë do të shkojë kështu, por nëse nuk janë paratë e tyre në këtë javë atëherë ne i kemi njoftuar se nga java tjetër nuk do të punojmë përderisa mjetet nuk janë, dhe nuk ka pengesë ligjore. Krejt kjo ka ardhur nga neglizhenca e punëtorëve të Ministrisë së Shëndetësisë”.

Se a është dakorduar me punëtorët teknikë për futjen në grevë, Azemi ka deklaruar se në disa raste vendos vetë.

“Unë kam kompetencë që për disa gjëra të vendosi edhe vetë, por megjithatë edhe ne duhet të kalojmë në disa faza të dialogimit, por meqë kemi pritur kaq shumë mendoj që duhet të presim edhe dy ditë, sepse për t’u futur në grevë kemi kohë dhe jemi të gatshëm që nga java e ardhshme”, është shprehur ai.