Arbëri

Qeveria s’tregon si do të veprojë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar nga Hoti

Descriptive Text

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk ka përgjigje lidhur me atë se si do t’i qaset Marrëveshjes së Washingtonit, e nënshkruar nga ish-kryeministri Hoti. Njohësit e procesit të dialogut thonë se ekzekutivi duhet të jetë i përgatitur për punën që është bërë në terren, konkretisht për zbatimin e saj, pasi mund të jetë një nga temat në bisedimet me Serbinë, kurdo që mbahen ato

Zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit nuk e ka në rend të ditës qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Ish-kryeministri Avdullah Hoti, gjatë qeverisjes së tij, kishte filluar punën për funksionalizimin e ekipeve si dhe zbatimin e disa prej pikave të Marrëveshjes së 4 shtatorit. Ekipi për studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit ishte një prej tyre.

Se si do të veprojnë tash e tutje nga ekzekutivi nuk janë përgjigjur që nga e marta, derisa jozyrtarisht i kanë thënë KOHËS se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

Por, Avdi Gjonbalaj, i cili është ekspert i ujërave, thotë se me Ujmanin Qeveria do të duhej të merrej në mënyrë urgjente. Sipas tij, koha e shkurtër nga marrja e detyrës nuk është arsyetim për udhëheqjen e re.

“Qeveria duhet ta formon ekipin prej profesionistëve, të shohë se çka ka qenë, a ka diçka më në detaje se na s’kemi parë, ne kemi parë një informatë shumë të mjerë. Është nënshkruar dhe nuk e dimë se çfarë përmban dhe çka duhet studimi i fizibilitetit”, thotë Gjonbalaj.

Lidhur me punën që është bërë në këtë drejtim nga ekipi i formuar nga Hoti, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga ish-ministrat e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi e Muharrem Nitaj.

Kuçi dhe Nitaj, gjatë mandatit të tyre, kanë kryesuar grupin punues për studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Por, asnjëri nga ta nuk ka pranuar të përgjigjet për këtë çështje. E, për Marrëveshjen e Washingtonit nuk ka pranuar të deklarohet as ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se Qeveria duhet të jetë e përgatitur lidhur me atë që është bërë në zbatimin e Marrëveshjes së 4 shtatorit, por edhe të marrëveshjeve të tjera.

“Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë t’ia bëjë një vlerësim apo një analizë kësaj marrëveshjeje, të shohë se cilat pika janë zbatuar dhe cilat ende nuk janë zbatuar, të shohë pra edhe në terren se si po zbatohet, si po procedohet me këtë marrëveshje”, thotë Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI.

Sipas Haxhollit, kjo marrëveshje mund të ngrihet sërish në procesin e dialogut, kurdo që mbahet. “Kjo me siguri se do të jetë një marrëveshje e cila do të ngrihet sërish në procesin e dialogut, duke qenë se kjo marrëveshje është mbështetur, është nënshkruar me ndërmjetësimin e SHBA-së, por edhe është mbështetur nga ana e Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Nëse janë në kontakt me Qeverinë Kurti lidhur me zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Washington nuk kanë treguar as nga Departamenti i Shtetit. Në një përgjigje të shkurtër është kërkuar që pyetjet të drejtohen në adresë të Ambasadës amerikane në Kosovë. Përgjigjet kanë munguar edhe nga ambasada.

Kryeministri i Kosovës atëkohë, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin nënshkruar më 4 shtator marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Sipas marrëveshjes, të dyja palët zotohen për zbatim të marrëveshjes për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020, për atë të hekurudhave Beograd-Prishtinë, si dhe për bërjen e një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në detin Adriatik.

Kosova dhe Serbia, thuhet në marrëveshje, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdar, atë Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdar, po ashtu do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.

Në Washington, Serbia dhe Kosova janë pajtuar që t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës, të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë, si dhe për bashkëpunim në disa çështje të tjera, si ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G, për kontrollin e pasagjerëve ajrorë, për mbrojtjen dhe promovimin e lirive fetare, për lokalizimin dhe identifikimin e mbetjeve të personave të humbur, për çështjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, për shpalljen e Hezbollahut organizatë terroriste, e kështu me radhë. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, Kosova është pajtuar që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Ndërkohë që Serbia ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.