Arbëri

Në mbrojtje të identitetit

“Aktivizimi im lidhet edhe me faktin se unë jam një fëmijë prej një martese të përzier”, thotë Rajmonda Sylbije. “Babanë e kam shqiptar dhe nënën serbe nga Bosnja. Para luftës ka qenë jo më e përshtatshmja me e pasë babanë shqiptar, kurse pas luftës ka qenë jo ndër më të përshtatshmet në shoqëri me e pasë nënën serbe, dhe mendoj që kjo në mënyrë të pavetëdijshme ka ndikuar në rebelimin tim dhe mbrojtjen e idesë se secili duhet të jetë i barabartë”, shpjegon Sylbije

“Jo shumë shpesh më ka ndodhur me u marrë me kauza që janë të lehta. Unë mendoj që shpirti im rebel gjithmonë ka vendosur dhe është marrë me çështje të cilat janë më së paku të folura”, e përkufizon Rajmonda Sylbije përplasjen e saj me realitetin. Gjithmonë e ka sfiduar atë. Duke qenë e tillë, aktivizmi ka qenë krejtësisht i natyrshëm për Rajmonda Sylbijen, aktivisten e të drejtave të personave LGBTI në Kosovë.

Aktivistja nga Prizreni, nëpërmes zërit të saj synon vazhdimisht t’i shembë përkufizimet për dashurinë. Qysh në moshë të re ia kishte vënë vetes mision që të fuqizojë komunitetin LGBTI në Kosovë. Por zëri i saj dhe i komunitetit kaloi nëpër plot barriera deri te një shteg për të depërtuar më lehtë. Ekonomiste me profesion, Rajmonda Sylbije në përditshmërinë e saj kërkon që bilanci i ndjenjave të mos ndjekë asnjë formulë strikte. Gjithnjë ka synuar të shkojë përtej margjinave që prodhon heshtja. Kur lufta e fundit në Kosovë mbaroi, Sylbije ishte veç 12-vjeçare dhe qysh atëherë filloi të bëhet pjesë e shumë trajnimeve që përfshinin lehtësimin e traumave të luftës. Me të u rrit edhe nevoja për ta rritur aktivizmin në shoqëri. Si fëmijë i fundviteve ‘80 nga një martesë e përzier, nevoja për aktivizëm iu bë mënyrë jetese. Kjo thotë se ka luajtur një rol qenësor në aktivizmin e saj.

“Aktivizmi im lidhet edhe me faktin se unë jam një fëmijë prej një martese të përzier, babanë e kam shqiptar dhe nënën serbe nga Bosnja. Para luftës ka qenë jo më e përshtatshmja me e pasë babanë shqiptar, kurse pas luftës ka qenë jo ndër më të përshtatshmet në shoqëri me e pasë nënën serbe dhe mendoj që kjo në mënyrë të pavetëdijshme ka ndikuar në rebelimin tim dhe mbrojtjen e idesë se secili duhet të jetë i barabartë”, shpjegon Sylbije.

Në vitin 2006, Sylbije nisi studimet për menaxhim biznesi dhe ekonomi në Prishtinë dhe ky moment do të bëhej pikë kthese në rrugëtimin e saj. Trajnimet e shumta edhe në vendet e rajonit dhe kontakti me persona që merreshin me të drejtat e personave LGBTI bënë që kauza për këtë komunitet të shndërrohej në vizion të qartë për Sylbijen. Një rrugë së cilës nuk i ka shkuar kurrë mendja t’i largohet. Por, fillimi nuk ishte i lehtë.

“Fillova që të angazhohem në këtë fushë duke e parë pikërisht gjendjen tepër të fshehtë, një situatë ku pothuajse personat LGBTI cilësoheshin si joekzistentë dhe pikërisht ka qenë ajo duke e parë si një nevojë të jashtëzakonshme me u marrë me këtë çështje. Që nga mosha 18-vjeçare kam filluar të shkoj në aktivitete dhe të frekuentoj në atë kohë lokacionet ku personat LGBTI mblidheshin dhe mundoheshin ta krijonin një grup mbështetës, i cili u ka ndihmuar për shumë vite të funksionojnë”, tregon ajo.

Image

Udhëheqja e CEL-it dhe organizata si institucion

Ajo e ndjente që komuniteti duhej të bëhej i dukshëm, e pastaj të bëhej i pranueshëm për të gjithë shoqërinë. Por, për të fituar besimin duhej ecur nëpër shumë rrugë nëpër të cilat shfaqeshin shumë barriera. Sipas saj, papranueshmëria e lartë e shoqërisë dhe e familjarëve kanë bërë që këto grupe të izoloheshin në grupe të vogla, gjë që e kushtëzonte një lloj distancimi nga pjesa tjetër e shoqërisë.

“Në atë kohë zyrat kanë qenë shumë të fshehta dhe ka qenë shumë vështirë të shkojë dikush, i cili nuk ka qenë LGBTI. Është dashtë shumë kohë me e fitu një lloj besimi në këdo që të mund të flasin në mënyrë të lirshme”, kujton Sylbije.

Ajo aktualisht punon në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD që përkrah dhe mbron të drejtat e personave LGBTI në Kosovë. Për disa vjet, Sylbije kishte udhëhequr Qendrën për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTI në Kosovë (CEL). Gjatë punës së saj si drejtuese e organizatës CEL, Rajmonda ka kontribuar në ndërgjegjësimin e popullatës për çështje të komunitetit LGBTI, fuqizimin e këtij komuniteti, si dhe avokimin dhe lobimin për një qasje legjislative ndaj tyre. Rajmonda u bë pjesë e “Natalias”, projekt i organizatës "Civil Rights Defenders" me synim mundësimin e një sistemi sigurie për mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Në çdo angazhim të saj, kauza kryesore që duhej çuar përpara ishte rrënimi i paragjykimeve dhe synimi ishte të depërtojnë tek akterët e jashtëm dhe të brendshëm që ndikojnë në mënyrën e jetesës së komunitetit.

“Organizata në shumë momente është edhe vetë institucion që duhet të veprojë në bazë të programeve që i dizajnon. Me bashkëthemeluesit kemi bërë programe të reja, kemi filluar të punojmë më shumë me të rinjtë që nuk janë persona LGBTI dhe e kemi parë nevojën shumë të madhe që të fillohet me ta. Kemi filluar të punojmë me shkollat e mesme, studentët, gazetarët, sociologët dhe psikologët pikërisht duke e kuptuar që ajo që fuqizohet përbrenda nuk duhet të mbetet me kaq”, shprehet me këmbëngulje Sylbije, teksa shpjegon se programet e tyre kanë përfshirë edhe realizimin e seancave mbështetëse psikologjike. Kjo sipas Sylbijes është nxitur nga fakti se kudo, madje edhe në institucionet shëndetësore në Kosovë ka shumë paragjykime.

“E kemi parë të arsyeshme që të ketë persona profesionistë të cilët nuk kanë fare nevojë me e diskutu orientimin gjinor, por merren me gjëra për të cilat iu paraqitesh”, thekson ajo.

Image

Fjalimi në Oslo dhe shpresa për ta shndërruar paradën në festë

Përvojat e Sylbijes jashtë vendit i kanë shërbyer në aktivizmin e saj. Përveç trajnimeve e aktiviteteve të tjera në vendet e rajonit, ajo ka marrë pjesë edhe në parada dhe aktivitete të ndryshme në Francë, Suedi e Norvegji. Në këto vende kishte valëvitur edhe flamurin e Kosovës dhe kjo për të kishte qenë e rëndësishme për dy arsye: që të promovojë personat LGBTI të Kosovës dhe ta promovojë shtetësinë e Kosovës.

“Kam qenë në Stockholm, Oslo si përfaqësuese e organizatës dhe aktiviste. Më kujtohet që në Stockholm ka qenë hera e parë që është valëvitur flamuri i Kosovës gjatë marshimit dhe për mua ka qenë mjaft emocionuese, sepse më është dukur sikur po tregojmë që po dëgjohet zëri i Kosovës”, tregon Sylbije.

Sipas saj, paradat në Ballkan dallojnë dukshëm me ato të vendeve evropiane, për shkak se kanë karakter festiv. Në vitin 2016, ajo kishte marrë pjesë në paradën e personave LGBTI në Norvegji, ku ky organizim cilësohet si një festë masive e diversitetit dhe zgjat për disa ditë. Nga një vend ku protestohet për të drejtat e këtij komuniteti, Rajmonda në Oslo të Norvegjisë i dha zë shpresës që edhe paradat në Kosovë të shndërrohen në festë.

“Gjatë fjalimit kam qenë shumë e humbur prej emocioneve dhe thosha: ‘A thua do ta arrijmë ne ndonjëherë këtë stad që parada me qenë festive, që policët me qenë bashkëpjesëmarrës në paradë e jo me qenë akterë kryesorë, të cilët janë duke e mbrojtur marshimin e paradës”, shprehet Sylbije.

Sylbije: Parada, për mua ka qenë një prej emocioneve më të mëdha

Nevoja për ta bërë komunitetin e dukshëm, i mbërtheu organizatorët në nevojën për të filluar marshet. Qëllimi kryesor ishte që komuniteti të bëhej i dukshëm. Pasi që vizibiliteti ishte qëllimi parësor, synimi tjetër ishte testimi i masës se si do të reagojë ndaj aktiviteteve të tilla publike. Pastaj, organizatorët përmes kësaj donin të vlerësonin se si institucionet e sigurisë do t’u qaseshin eventeve edhe më të mëdha. Marshet e para të komunitetit LGBTI u organizuan në vitet 2014, 2015 dhe 2016.

“Ka filluar me 50 persona dhe ka përfunduar në shumë më shumë persona në vitin 2016. Në fillim nuk kanë qenë publike vetëm për shkak të sigurisë”, thekson ajo. Por prej marshit në paradë, duhej shumë mund. Pas tri marsheve, më 10 tetor të vitit 2017, komuniteti LGBTI në Kosovë së bashku me përkrahësit i këndoi hapur dashurisë nën moton “Në emër të Dashnisë”. Një organizim i tillë s’mund të kapërcente pa i dhënë shumë emocione Rajmondës.

“Për mua ka qenë një prej emocioneve më të mëdha, duke e parë që ajo punë që të gjithë e kanë bërë për një kohë shumë të gjatë është duke kulmuar me një paradë, e cila është e paralajmëruar më herët, për të cilën mediat janë duke folur dhe masa ka pasur kohë që të mobilizohet shumë më herët që të marrin pjesë”, ka thënë Sylbije për KOHËN.

Për shkak të pandemisë, viti 2020 pezulloi shumicën e aktiviteteve. Megjithatë, organizimi i paradës që kishte krijuar një traditë të përvitshme nuk u ndal. Me moton “Po, du”, parada e vitit që pati izolimin si kryefjalë u organizua me vetura. Kjo sipas Sylbijes ka prodhuar efektin e vet dhe e ka krijuar një kontakt më të afërt të komunikimit mes organizatorëve dhe qytetarëve.

“Më pak kemi qenë duke bërtitur dhe kemi pasur mundësi t’i dëgjojmë komentet e ndryshme. Mendoj që ka pasur rëndësi në vizibilitet, dhe kemi treguar qëndrueshmëri se edhe pse në pandemi, kemi gjetur mënyrë tjetër se si mund të bëhet kjo”, është shprehur ajo.

Sipas Sylbijes, rruga për të fuqizuar personat LGBTI do akoma shumë punë. Shoqëria duhet të jetë më e hapur dhe institucionet duhet ta trajtojnë si çështje me të cilën duhet marrë në vazhdimësi. Përveçse nevojitet respektimi i legjislacionit aktiv për komunitetin, sipas Sylbijes perceptimi i shoqërisë duhet të ndryshojë edhe më.

“Edhe pa ekzistuar ky legjislacion mendoj që duhet ta kuptojmë që personat LGBTI janë persona, me të cilët ne e kalojmë jetën tonë të përditshme. Gjithmonë nisuni me faktin që mundeni me pasë një vëlla, motër, dikë të afërt të familjes apo të shoqërisë dhe duhet ta kuptoni që një qasje e juaja e hapur, dikujt i ndihmon për jetë në mënyrën se si e ka dizajnuar dhe se si mendon me e jetu jetën e vet”, ka ngulmuar në mesazhin e saj aktivistja.

Kur e kthen kokën prapa, Rajmonda Sylbije merr zemër edhe më shumë për ta vazhduar kontributin në këtë fushë. Për të dhe personat si ajo, përpjekjet nuk reshtin derisa paradat e personave LGBTI të shndërrohen në festë të përvitshme.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë)