Arbëri

KMDLNJ: Institucionet kanë shkelur të drejtat e njeriut tek të burgosurit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut përmes një deklarate ka thënë se institucionet e Kosovës nuk i kanë përfillur kërkesat që i patën propozuar lidhur me të burgosurit me gjendjen e krijuar nga pandemia me COVID-19.

Sipas KMDLNJ-së, institucionet “janë bërë shkelës të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, e kanë vështirësuar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili është vënë nën presion të burgosurve, familjeve si dhe organizatave që monitorojnë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria”.

KMDLNj, sipas propozimit të avokatit Artan Qerkini që tash është anëtar i Kryesisë, pati propozuar shpopullimin maksimal të institucioneve mbajtëse dhe korrektuese, pa e rrezikuar situatën e sigurisë jashtë përmes.

Në rekomandime përfshihej falja e dënimit të të dënuarve që u ka mbetur më pak se një vit burg dhe që vepra e tyre nuk paraqet rrezikshmëri të lartë e që lirimi nuk rrezikon situatën e sigurisë jashtë.

Këshilli vlerësoi se institucionet nuk kanë vepruar në përputhje me situatën e jashtëzakonshme, kështu që gjykatat kanë refuzuar kërkesat për lirim edhe për të dënuar me diagnozë terciare. Për këtë arsye, sipas KMDLNJ-së, ka pasur “rritje të numrit të dënuarve që kanë vdekur në burg brenda një kohe të shkurtër pikërisht për shkak të sëmundjeve të pashërueshme”.

Kërkon që kur të kthehemi në normalitet, të dënuarit duhet të kompensohen sepse tash iu është mohuar e drejta e shfrytëzimit të beneficioneve.

KMDLNJ mendon se duhet të fillohet sa më shpejtë që të jetë e mundur hartimi i një Ligji për Amnisti duke marrë në konsideratë praktikat e mira të vendeve të rajonit dhe të tjera. Ky Ligj që mungon ka qenë dhe vazhdon të jetë burim i pakënaqësisë i personave të privuar nga liria në Kosovë e që është manifestuar me greva të të burgosurve dhe kundërshtime tjera sikur që paraqet shqetësim edhe për organizatat për të drejtat e njeriut.

Rekomandimet e KMDLNJ-së:

• Faljes së dënimit të të dënuarve që iu ka mbetur nën një vit burg për të gjithë të dënuarit të dënuar për vepra që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë, dhe që lirimi i tyre nuk do të ndikonte në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme.

• Lirimi i përkohshëm për të gjithë ata që janë shfrytëzues të rregullt të beneficioneve të cilët do të qëndronin në shtëpi ndërsa koha e qëndrimit në shtëpi do t’iu llogaritej si shlyerje e dënimit.

• Zëvendësimi i dënimit me burg me masa alternative të dënimit në raste të dënimeve më të lehta.

• Shqiptimi i masës së paraburgimit vetëm në ato raste kur nuk ka mundësi tjera.

• Falja apo ndërprerja e dënimit për të dënuar në moshë të shtyer dhe të atyre me diagnoza terciare (sëmundje të pashërueshme).

• Përfshirje në lirim të një numri më të madh të femrave të dënuarave, të miturve të dënuar apo të miturve me masë edukative sepse KMDLNj ka vërejtje të mëdha se ndaj këtyre kategorive bëhen të padrejta dhe se nuk trajtohen në përputhje me sjelljet që i kanë .

• Intensifikimit të Punës së Panelit për Lirim me Kusht

• Shfrytëzimit të së drejtës kushtetuese të Presidentit/es për falje të personave të privuar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme

• Krijimit të një Komisioni Ad Hoc që do të shërbente si katalizator për përshpejtimin e procedurave për lirim të personave të privuar nga liria, sipas kritereve të lartëpërmendura.