Arbëri

LDK-ja kritikon Kurtin pse e priti shefin e UNMIK-ut, por atë e pritën edhe Mustafa, Thaçi e Haradinaj

Descriptive Text

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti pse e ka pritur në takim shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Tanin është “burrë i mirë”, porse zyrtarisht është shef i një misioni që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Sipas për këtë, kryeministrat e mëhershëm nuk e kanë takuar Tanin, gjë që sipas një hulumtimi të thjeshtë në internet nuk del ashtu.

Në faqen e UNMIK-ut mund të gjenden linqe të lajmeve ku Tanin është pritur nga Hashim Thaçi më 2016, kur ishte president i vendit, pastaj nga ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa më 2016 kur ishte kryeministër dhe Ramush Haradinaj më 2018, kur po ashtu ishte kryeministër. Të gjitha takimet janë zhvilluar në Kryeministri dhe Presidencë.

Për shefin e misionit të OKB-së për Kosovë, gjenden edhe lajme kur është pritur në komisione parlamentare. Më 12 prill 2017, Tanin ishte pritur në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit.

“Z. Zahir Tanin përveç anës personale e ka edhe anën e tij zyrtare, ai është PSSP të KB në misionin e kushtëzuar nga Rezoluta 1244. Rezolutë kjo, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e cila është bazament i fortë kundër Kosovës në duart e Rusisë, Serbisë dhe shteteve me mendësi të njejtë kundër shtetësisë tonë. Arsye kjo pse kryeministrat dhe presidentët e deritashëm kanë refuzuar ta takojnë zyrtarisht PSSP-në Tanin në hapësira shtetërore. Rezolutë kjo e cila i ka penguar zyrtarët e lartë të KB t’i takojnë zyrtarët e Kosovës. Arsye pse në 12 raporte të SG për dhunën seksuale gjatë konflikteve, Kosova nuk është përmendur asnjëherë. Rezolutë kjo e cila KM, ministrat e ambasadorët e Kosovës i quan zotëri e zonja në vend të titullit shtetëror. Rezolutë kjo e cila pengon flamurin e Kosovës të valon krah flamujve tjerë. Ta takon privatisht z. Tanin është çështje private që nuk duhet t’i pengojë askujt. Është njerëzore. Por KM Kurti e paska pritur zyrtarisht PSSP e përfaqësuesin zyrtar të Rezolutës 1244 në zyrat e KM”, ka shkruar Sahatqija në Facebook.

{gallery}