Arbëri

Në Preshevë konsiderohet vendim politik shkarkimi i drejtorit të vetëm shqiptar në Shëndetësi

Descriptive Text

Shqiptarët në Preshevë po ankohen për diskriminim shtetëror nga ana e Qeverisë në Serbi. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, e ka cilësuar diskriminim shtetëror të Serbisë rastin e shkarkimit të drejtorit të vetëm shqiptar të Shtëpisë së Shëndetit “Presheva” në Preshevë, Driton Salihu dhe vizitën që ministri serb i Punëve të Brendshme ia bëri stacionit policor në Bujanoc.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafi ka shprehur shqetësimin për dy ngjarje që kanë ndodhur të martën, duke thënë se Serbia nuk i respekton të drejtat e minoriteteve.

Ai ka thënë se të martën, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vullin, kishte provokuar shqiptarët duke vizituar stacionin policor në Bujanoc, ndërsa në të njëjtën ditë ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Lonçar shkarkoi drejtorin e vetëm shqiptar të një instituti shëndetësor në Preshevë.

“Pra, në rastin e parë, në institucionin ku janë të nënpërfaqësuar shqiptarët - qoftë si numër i përgjithshëm qoftë në zinxhirë komandues, Ministri Vulin me prezencën e tij, injorimin e institucioneve lokale dhe gjuhën e tij kërcënuese ndaj shqiptarëve të Luginës nxit polarizim ndëretnik në Bujanoc. Polarizime që nuk kanë ekzistuar edhe në kohërat e luftërave të përgjakshme. Për derisa, rasti i dytë - Ministri Lonçar me vendimin e tij për shkarkimin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë vërteton se politikat e nënshtrimit dhe servilizmit funksionojnë deri në momentin që i shërbejnë Beogradit. Nuk ishte shkaktuar kur kishte arsye, andaj u shkarkua pa arsye”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

Ai ka thënë se pushteti në Serbi s’është treguar i gatshëm për dialog, për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve “që është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë së Republikës së Serbisë”.

“Përkundrazi, natyra diskriminuese institucionale shtetërore ende vazhdon të bëhet përcaktuese e politikave diskriminuese”, ka përfunduar ai.

Vendim politik shkarkimin e Salihut e ka cilësuar edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Me një Aktvendim arbitrar është shkarkuar drejtori i Shtëpisë së Shëndetit ‘Presheva’ në Preshevë, dr. Driton Salihu, nga Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Serbisë. Vendim ky që është puro politik, meqë edhe më grotesk, pasi në situatën e jashtëzakonshme me pandemi globale, bëhen lojëra politike në shkarkim-ngarkimin e drejtorëve të institucioneve lokale shëndetësore dhe këtë sipas vendimit të Ministrit me ‘Shkarkim pa arsye’”, ka shkruar ai në Facebook të martën pasdite teksa ka numëruar sukseset e Salihut në punën e tij.

“Me këtë akt arbitrar, Ministri i Shëndetësisë thjeshtë po i ushtron kompetencat e tij, pa kurrëfarë kriteri, e sidomos në këtë rast që e shkarkon një drejtor të kombësisë Shqiptare që i përket shumicës së popullatës Shqiptare në komunën tonë, duke emëruar për ushtrues detyre drejtor të nacionalitetit serb, për të cilën i kërkojmë Ministrit të Shëndetësisë shpjegim zyrtar për aktin e ndërmarrë ndaj drejtorit të deritanishëm të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, dr. Driton Salihu”, ka shtuar ai teksa ka thënë se për rastin kanë informuar faktorin ndërkombëtar për diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve.

Në anën tjetër, Salihu, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se në letrën e shkarkimit s’është përmendur asnjë arsye për largimin e tij.

“Shkarkimin tim e mora me një letër vendim nga ministri i shëndetësisë së Republikës së Serbisë Zlatibor Lonçar. Në këtë vendim, nuk ka edhe as një arsye të vetme se pse unë jam shkarkuar si drejtor i shtëpisë së shëndetit në Preshevë. Unë mendoj se ky vendim është komplot politik dhe e vetmja arsye është kjo. Unë kam qenë i vetmi drejtor i kombësisë shqiptare në 321 shtëpi të shëndetit që ka Serbia. Komuna e Preshevës zyrtarisht është komuna më e suksesshme në Serbi sa i përket vaksinimit anti-Covid”, ka thënë ai.

Salihu kishte mandat deri në fund të prillit të vitit 2022.