Arbëri

Varhelyi i kërkon Kurtit vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë

Oliver Varhelyi

Kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve, ka thënë në një letër drejtuar kryeministrit Kurti, komisionieri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në një letër urimi për Kurtin për marrjen e postit të kryeministrit, Varhelyi ka thënë se qytetarët e Kosovës i kanë dhenë Kurtit mandatin për të bërë reforma në sundim të ligjit e për zhvillim socio-ekonomik dhe për një ekonomi më të pastër.

Teksa i ka ofruar mbështetjen dhe zotimin për mbështetje të liberalizimit të vizave, Varhelyi ia ka kujtuar Kurtit çështjen e dialogut dhe rëndësinë e tij për integrim evropian.

“Kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në realitet për qytetarët e saj kërkon po ashtu vazhdim të shpejtë të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve me Serbinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe të Serbisë dhe për përmirësim të bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Varhelyi në letër.

Kurti, në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, pati deklaruar disa herë se dialogu s’është prioriteti kryesor i tij. Para kësaj pike kishte renditur përballjen me pandeminë, drejtësinë dhe mirëqenien sociale.