Arbëri

Përshpejtohen procedurat për furnizim me barna për COVID-19

Numri i lartë i pacientëve me Covid-19, e sidomos i atyre në gjendje të rënduar shëndetësore, e ka shtyrë SHSKUK-në që të kërkojë furnizim emergjent me barna për trajtimin e tyre.

Në një tender për furnizim me dy lloje antibiotikësh dhe barin “Tocilizumab”, i cili përdoret te pacientët në gjendje të rëndë, SHSKUK-ja i ka shkurtuar procedurat e prokurimit nga 40 në 20 ditë, duke i shpallur fituese tri kompani brenda disa ditëve.

Në këtë tender, vlera e të cilit është rreth 305 mijë euro, vetëm për 120 copë të barit “Tocilizum”, fituese është shpallur kompania “Meditech”, me një çmim prej rreth 37 mijë eurosh.

Një dozë e “Tocilizum”-it, që vështirë gjendet nëpër barnatoret private, kushton nga 700 deri në 800 euro. Ky bar përdoret për trajtimin e artritit reumatik, por që pas disa studimeve është konstatuar se mund të përdoret edhe për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Sipas infektologes Albina Ponushevci, për momentin është siguruar një sasi e këtij bari, i cili po përdoret te pacientët e shtrirë në Infektive.

“Për momentin janë siguruar disa doza të këtij bari. Ka pasur pacientë, të cilët janë duke u trajtuar, për fat numri i tyre është i vogël, sepse duhet të plotësohen disa kritere, duhet të shikohet formula leukocitare duhet të shikohen enzimat e mëlçisë...”, ka thënë ajo.

Sipas Ponushevcit, ky bar përdoret me kujdes të madh, te pacientët me gjendje të rënduar shëndetësore.

Ndërkohë SHSKUK-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se si shkak i numrit të madh të pacientëve që po trajtohen nëpër klinikat dhe spitalet rajonale është rritur shpenzimi i barnave.

Megjithatë, ky institucion ka shtuar se sipas planifikimit të Klinikës Infektive, ata për momentin janë të furnizuar me këtë ilaç.

“Sipas Shërbimi Farmaceutik në QKUK/ShSKUK, përkundër shpenzueshmërisë së lartë të barnave të cilat janë duke u përdorur në klinikat të cilat trajtojnë pacientët me Covid-19 dhe rritjes së numrit të pacientëve, furnizimi momentalisht është i qëndrueshëm, me shumicën e barnave të nevojshme. Në QKUK momentalisht ka furnizim me produktet Piperacilin+Tazobactam, Imipenem+Cilastatinë, dhe se fundi jemi furnizuar me Tocilizumab sipas planifikimit te Klinikës Infektive. Gjithashtu është inicuar procedura për furnizim me Tocilizumab në nivel të ShSKUK-së, duke përfshirë edhe spitalet e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndërkohë, janë iniciuar procedurat për furnizim me Tocilizumab në nivel të ShSKUK-së, duke përfshirë edhe spitalet e përgjithshme.