Arbëri

Tahiri: Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, faturën e mban Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, faturën duhet ta mbajë kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të propozohen kandidatë të tjerë për president që përfaqësojnë unitet.

“Ne u kërkuam sot që t’i tërheqin këto dy kandidatura, jemi në afatet kushtetuese. Mund ta zgjedhim edhe nesër, pasnesër e javën që vjen. Kemi kërkuar të gjejmë një figurë, të propozojnë një figurë që i jep stabilitet vendit, një figurë që nuk do ishte përçarëse por që përfaqëson unitetin e qytetarëve. Ky vullnet nuk ekziston. Ky vullnet i mazhorancës duket se nuk ekziston prandaj faturën siç duket që do na çoj vendin në zgjedhje e bart pikërisht arroganca e kësaj mazhorance dhe Albin Kurti. Nëse sot shkojmë në zgjedhje, shkojmë si rezultat i një lëvizje të prodhuar nga Albin Kurti, jo nga Albin Kurti që ishte rrëzuar gjatë pandemisë por nga pozita më e lartë shtetërore”, tha ai para mediave.

Tahiri e quajte mbledhjen e Kryesisë të çuditshme dhe se janë ftuar pa një agjendë të qartë.

Sipas tij, shantazh u bë në këtë mbledhje ashtu si mbrëmë në seancën ku u inicua ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, ndërsa shtoi se zgjedhja e presidentit po mundohet të bëhet në mënyrën më të turpshme të mundshme.

“Ata më së paku e kanë mendjen tek qeverisja, e kanë mendjen te sistemimi i njerëzve të tyre nëpër pozita të larta shtetërore dhe ky ishte qëllimi i thirrjes së kryesisë e që do të pasojë më vonë me tentimin për zgjedhjen e presidentit. Sot po mundohet që presidenti të zgjidhet në mënyrën më të turpshme, pa iu nënshtruar një konsultimi të gjerë me partitë politike. Kjo mazhorancë po dëshmon çdo ditë se po tenton ta mbysë demokracinë”, tha ai.