Arbëri

Vetëvendosje s’e mohon që tentoi të ndryshonte nenin për kandidimin e të dënuarve

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka mohuar se në kuadër të propozimeve për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje, ishte tentuar të bëhej ndryshimi i një neni me të cilin parashihej që të ndryshohej edhe pika e ndalimit për kandidim personave të dënuar në tri vitet e fundit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, në listën e Vetëvendosjes nuk u lejuan të përfshiheshin disa kandidatë për deputetë duke u bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilën i ndalohej kandidimi personave të dënuar për vepër penale me vendim të prerë në tri vitet e fundit.

Të premten, Vetëvendosje inicioi ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje duke thënë se po mundohet që t’i hapë rrugë për votim më të lehtë diasporës. Megjithatë, siç ka thënë Eugen Cakolli nga KDI-ja, në këtë tentim ka pasur edhe një ndryshim në të cilin parashihej që kandidimi t’u ndalohej vetëm atyre që ishin të dënuar me një ose më shumë vite burgim.

“Kjo s'ka lidhje me votimin jashtë vendit”, ka thënë Cakolli.

 

U tha se qëllimi i vetëm i projektligjit është mundësimi i votimit në misione diplomatike e konsullore për votuesit...

Posted by Eugen Cakolli on Friday, April 2, 2021

E këtë nuk e ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila. Në një konferencë për media, pasi dështoi që ndryshimi të bëhej me procedurë të shpejtë, ka thënë se gjithçka është bërë konform procedurave shqyrtuese.

“Po flisni për nene që ishin të hapura për t’u diskutuar sot, janë nene për të cilat po i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk i referohemi neneve, por vendimit të Kushtetueses. Është bërë konform procedurave shqyrtuese, që të mos mbështetemi në vendimet e Kushtetueses, por në Ligjin Zgjedhor”, ka thënë ajo.