Arbëri

Reagimet kundër iniciativës së VV-së për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje

Mustafa për tentimin e VV-së për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje: Sot është Dita 1 e diktaturës

21:40 - Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje në një kohë kur pritej votimi për presidentin, sipas Besian Mustafës së LDK-së, paraqet shënimin e tiranisë dhe diktaturës në Kosovë.

Në një shkrim në Facebook, Mustafa ka thënë se “kërcënimi dhe shantazhimi përmes ‘reformës’ së territ tradhëton konstruktivitetin e LDK-së”.

“Gjuaj gurin - dhe molotovin - e fshehe dorën pas mërgatës! Kërcënimi dhe shantazhimi përmes “reformës” së territ tradhton konstruktivitetin e LDK-së. Ne jemi institucionalistë, por jo për të shkatërruar institucionet! Kjo sot është Dita 1 e tiranisë, e diktaturës. Nuk po duan, nuk po guxojnë, të merren me problemet e qytetarëve. Po duan veç zgjedhje. Ja pafshin hairin. E kemi luftuar dhe mposhtur komunizmin dhe diktaturën një herë më 1989. E luftojmë dhe mposhtim edhe sot”, ka shkruar ai.

Vetëvendosje ka vazhduar me ndryshimin e shpejtë të këtij ligji, brenda pak orësh, përkundër se opozita dhe shoqëria civile e kundërshtuan lëvizjen e shpejtë. Ata e cilësuan si shantazh duke u bazuar edhe në deklaratën e kryeministrit Albin Kurti që kërcënoi opozitën se do ta çojë vendin në zgjedhje nëse nuk e votojnë Vjosa Osmanin për presidente.


Hoxhaj: Kurti ka frikë nga pushteti

20:55 - Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur fund të demokracisë tentimin e Lëvizjes Vetëvendosjes për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhjet duke shtuar se kryeministri Albin Kurti po i dëshiron zgjedhjet e reja sepse “ka frikë nga pushteti”.

Hoxha përmes një konference për media ka thënë se fajtori i vetëm në rast se vendi shkon në zgjedhje është Albin Kurti.

“Kjo se çfarë po ndodh sonte në Kuvend dhe Qeveri, ku është e gjithë vëmendja qytetarëve, që po përballen me pandeminë, me vafërinë, e ka vetëm një emër që është iniciuar nga qeveria e turpit. Në vend se të mblidheshim dhe të diskutonim sesi ta kemi një plan për ta vaksinuar popullatën, ne merremi me një krizë të re që e ka burimin te kryeministri Kurti dhe te Lëvizja Vetëvendosje, që shpërfaqet për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Sa është prioritet për qytetarët ky ligj në kohë pandemie. Në vend se të kemi një program, në vend se të kemi plan se si të merremi me pandeminë, është prodhuar një krizë e re. Natyrisht që Ligji për Zgjedhje në çdo vend demokratik nuk është inicim i vetëm një partie, por ndodh përmes një dialogu ku pjesë është edhe pozita, opozita, shoqëritë civile, mediat e qytetarët. Nuk mund të bëhet reformë në një ligj pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në vitin 2011, kur e kemi bërë një ligj të tillë, debati ka marrë kohë 12 muaj, ndërsa sot ka përpjekje për ta mbyllur për 12 orë. Kjo e ka emrin ngufatje të demokracisë, fund të demokracisë. Nuk pranojmë t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt dhe do të mbetemi front për ta mbrojtur demokracinë në Kosovë, që është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Qytetarët duhet ta kuptojnë se Albin Kurti është ai që po dëshiron ta çojë në zgjedhje të parakohshme, në një situatë të njëjtë sikur vitin e kaluar. Albin Kurti po i frikësohet pushteti. Fajtori i vetëm nëse shkon vendi në zgjedhje është Albin Kurti. Unë sot përsëri i ftoj qytetarët dhe mediat të shtrojnë pytje çfarë integriteti duhet të ketë presidentja e ardhshme. Ministrat e saj duhet të votojnë kundër për këtë ligj. PDK do të vazhdojë të mbrojë institucionet e Kosovës dhe nuk do ta përkrahim Ligjin për Zgjedhje”, është shprehur ai.

Sipas Hoxhës, qytetarët kanë votuar për stabilitet e siguri në zgjedhjet e fundit, andaj vetëm mazhoranca ka mundësinë ta dërgojë vendin në zgjedhje.

“Qytetarët kanë votuar për stabilitet, për siguri. Qytetarët besojnë se qeveria duhet të zgjidhë të problemet që i kanë me pandeminë. I ftoj të gjithë miqtë ndërkombëtarë që ta thonë fjalën e tyre sonte, për atë se në çfarë drejtimi po lëviz Kosova. Nuk do ta lejojmë që dikush me synimi e çkapjes së shtetit, ta ngulfat demokracinë. Kjo ngjarje e sotme është emëruese e përbashkët e një mendësie autoritare. Për zgjedhje të reja dhe kush e çon vendin në zgjedhje të reja, është e gatshme vetëm shumica e re parlamentare. I takon vetëm mazhorancës që të vendos për këtë. Ne si parti politike jemi të gatshëm ta respektojmë vullnetin e qytetarëve më 14 shkurt”, deklaroi Hoxhaj.


Shoqëria civile kërkon tërheqjen e iniciativës për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje

20:10 - Shtatë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar tërheqjen e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

Në një komunikatë të përbashkët, Demokraci Plus (D+), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu) kanë thënë se nuk arsyetohet urgjenca me të cilën po tentohet ndryshimi i këtij ligji.

Të premten, në ditën kur pritej të votohej për Vjosa Osmanin për presidente, Lëvizja Vetëvendosje nisi iniciativën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje për t’ia mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada e konsullata. Nga opozita kjo iniciativë u konsiderua e ngutshme dhe shantazh politik pasi në të njëjtën ditë, kryeministri Albin Kurti kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, në rast se ajo nuk mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin shefe të shtetit.

“Një proces kaq i rëndësishëm për demokracinë në vend, duhet të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të opozitës dhe konsultim të gjerë me organizatat e shoqërisë civile, publikun dhe të fund të kërkohej edhe opinioni i Komisionit të Venedikut. Për më tepër, ndryshimet e propozuara janë parciale dhe nuk i adresojnë të metat e këtij ligji. Kjo nuk duhet të ishte qasja që ndiqet ndaj reformave në përgjithësi, pasi është jo serioze dhe u shërben vetëm interesave të ngushta partiake”, thuhet në njoftimin e këtyre organizatave.

Sipas tyre, edhe nëse shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurta për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit.

“Në këtë mënyrë do të komprometohej i gjithë procesi zgjedhor. Ndryshimet e tilla do të duhej të bëheshin të paktën një vite para se të mbahen zgjedhjet, ashtu siç rekomandohet me Kodin e Praktikës së Mirë për Çështje Zgjedhore të Komisionit të Venedikut. Në këtë moment, i gjithë fokusi i partive politike parlamentare duhet të jetë në shërbim të zgjedhjes së Presidentit të ri”, thuhet në reagim.


Abdixhiku: Nëse nuk tërhiqet ndryshimi në Ligjin për Zgjedhje, Kurti na dërgon në zgjedhje

20:06 - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se partia e tij nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente në rast se kryeministri Albin Kurti nuk do ta tërheqë reformën në Ligjin për Zgjedhje.

Abdixhiku përmes një konference për media deklaroi se në rast që Kurti nuk e tërheq këtë ndryshim, atëherë po e bën me qëllim që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të krijojë vakuum institucional.

“LDK gjithmonë ka mbështetur reformat zgjedhore, nuk kemi ndonjë kundërshtim, por reforma duhet të jetë më e thellë sesa kaq. Nëse ky ndryshim nuk tërhiqet, kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje dhe krijon vakuum institucional”, u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se kryeministri i Kosovës u përpoq të shantazhonte opozitën me fjalimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në sallë për votimin e Osmanit si presidente. Sipas Abdixhikut, kjo tregon se Kurti nuk ka interes ta zgjedh Osmanin si presidente, por ta çojë vendin në zgjedhje.

“Partia në pushtet në mënyrë të paprecedentë, pa konsultim me partitë opozitare vendosi për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Ky ligj duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore, reforma të tilla bëhen me përfshirjen dhe sidomos nën drejtimin e opozitës. Me vendimet e sotme, VV-ja ka përjashtuar opozitën, shoqëritë civile. Veprime të sotme janë mënyrë e shantazhit. VV-ja po tregon se nuk është e zonja të përballet me problemet më fondamentale, siç është pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike. Kurti u përpoq të shantazhonte opozitën, duke thënë se nëse nuk votohet presidenti, vendi shkon në zgjedhje. LDK është treguar konstruktive dhe Kryesia e saj kishte vendosur për qëndrimin në sallë në seancën ku do të zgjidhjes presidentja. Shantazhi i sotëm tregon që Kurti ose nuk dëshiron ta zgjedh presidente Osmanin ose nuk është i gatshëm ta marrë drejtimin e shtetit. Rrezikojnë gatishmërinë për konstruktivitet. Në emër të LDK-së, i bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe shumicës parlamentare të heqin dorë nga ky shantazh dhe nga logjika shantazhuese ndaj opozitës. I bëj thirrje që për këtë Ligj të bisedojë me opozitën dhe ngadalë të shkojmë drejt votimit“, ka thënë Abdixhiku.


Hyseni del kundër LDK-së për votimin e Osmanit presidente: Ajo dhe Kurti po duan ta kthejnë Kosovën në shtet privat

19:09 - Ish-anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka dhënë kritika të mëdha për vendimin e partisë ku ai bënte pjesë, që ta votojnë Vjosa Osmanin si presidente.

Hyseni përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se LDK-ja ia shpalli vazalitetin Vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Shantazhi i VV-së dhe këndellja e vonuar e LDK-së, pas poshtërimit dhe mashtrimit që kryesia e saj i bëri këtij subjekti. Kryesia e LDK-së me një lehtësi të padurueshme vullnetaroi dhe ia shpalli vazalitetin VV-së së Albinit dhe Vjosës bllanko, në emër të gjoja një "konstruktiviteti" ndaj një subjekti politik, i cili gjatë gjithë jetës së vet politike destrukcionin dhe obstrukcionin i ka pasë parashenja të vetme. Për më tepër, vendimi i pamenduar i Kryesisë së LDK-së, pos mospërfillje e votueseve të saj ishte edhe kapitullim. Këtë lloj poshtërimi LDK-së nuk kanë mundur t'ia bëjnë as kundershtarët më të egër politik të saj. Këtë 'zemërgjërsi' nuk do ta ketë pritur mbase as Albin Kurti”, ka shkruar Hyseni.

Megjithatë, ky i fundit e ka vlerësuar si gjë të duhur reagimin e LDK-së në lidhje me nismën ligjore të VV-së për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Hyseni ndër të tjera shkroi se Kurti dhe Osmani po duan që Kosovën, sipas tij, ta kthejnë në shtet privat.

“Albini dhe Vjosa po duam ta kthejnë Kosovën në shtet privat duke sfiduar dhe duke kërcënuar egërsisht të ardhmen e saj demokratike. Ata duan te dërgojnë vendin në zgjedhje. Mbase ky edhe ka qenë plani që nga e para. Partitë opozitare, të gjitha së bashku, duhet të ngrijnë alarmin, madje edhe duke tërhequr përfaqësuesit e tyre nga KQZ-ja nëse nisma ligjore e VV-së për ndryshimin e ligjit për zgjedhje votohet”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës aktualisht është duke mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të jap mendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.


LDK-ja e quan shantazh ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

17:38 - Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova, siç thuhet në një reagim, sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.

LDK-ja thotë se vlerëson lartë konributin e mërgimtarëve në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar.

“Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas këtij subjekti politik, pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit, sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm.

“Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”, përfundon reagimi.


AAK-ja del kundër ndryshimit “me nguti” të Ligjit për Zgjedhje

16:56 - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë kundër ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të premten, Kryesia e Kuvendit vendosi të kërkojë nga Qeveria të paraqesë mendimin lidhur me nismën legjislative për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë dhe të përgatisë deklaratën e ndikimit buxhetor dhe atë për përafrim me legjislacionin e BE-së për këtë projektligj. E gjithë kjo u iniciua nga VV-ja, në ditën kur pritej që të mbahej seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentit.

Me ndryshimet, parashihet që diasporës t’i mundësohet votimi në ambasada dhe konsullata në shtetet ku jetojnë.

“Sapo u informuam se në mbledhjen e kryesisë pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare është marrë vendim që në seancën e orës 17:00 të bëhet amendamentimi i Ligjit për Zgjedhje. Është e papranueshme që në rrethana kur ky ligj absolutisht nuk është prioritet, të ballafaqohet me ndryshim të tillë. Kjo e vërteton arrogancën e numrave. A nuk kemi prioritete të tjera? A nuk e kemi prioritet sjelljen e vaksinave? AAK-ja e kundërshton me ngulm dhe mendojmë që Ligji për Zgjedhjet me u sjellë me kaq nguti e konfirmon një qasje totalitare e dominuese”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, në një konferencë për media

Ai ka thënë se AAK-ja nuk i nënshtrohet “asnjë shantazhi”.

“Nuk ka asnjë logjikë, as demokratike e as procedurale, që të sillet një ligj për ndryshim pa ndonjë konsultim. Qëllimi është që të kontrabandohet një ligj i tillë”, ka thënë tutje ai.