Arbëri

Hyseni del kundër LDK-së për votimin e Osmanit presidente: Ajo dhe Kurti po duan ta kthejnë Kosovën në shtet privat

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ish-anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka dhënë kritika të mëdha për vendimin e partisë ku ai bënte pjesë, që ta votojnë Vjosa Osmanin si presidente.

Hyseni përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se LDK-ja ia shpalli vazalitetin Vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

“Shantazhi i VV-së dhe këndellja e vonuar e LDK-së, pas poshtërimit dhe mashtrimit që kryesia e saj i bëri këtij subjekti. Kryesia e LDK-së me një lehtësi të padurueshme vullnetaroi dhe ia shpalli vazalitetin VV-së së Albinit dhe Vjosës bllanko, në emër të gjoja një "konstruktiviteti" ndaj një subjekti politik, i cili gjatë gjithë jetës së vet politike destrukcionin dhe obstrukcionin i ka pasë parashenja të vetme. Për më tepër, vendimi i pamenduar i Kryesisë së LDK-së, pos mospërfillje e votueseve të saj ishte edhe kapitullim. Këtë lloj poshtërimi LDK-së nuk kanë mundur t'ia bëjnë as kundershtarët më të egër politik të saj. Këtë 'zemërgjërsi' nuk do ta ketë pritur mbase as Albin Kurti”, ka shkruar Hyseni.

Megjithatë, ky i fundit e ka vlerësuar si gjë të duhur reagimin e LDK-së në lidhje me nismën ligjore të VV-së për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Hyseni ndër të tjera shkroi se Kurti dhe Osmani po duan që Kosovën, sipas tij, ta kthejnë në shtet privat.

“Albini dhe Vjosa po duam ta kthejnë Kosovën në shtet privat duke sfiduar dhe duke kërcënuar egërsisht të ardhmen e saj demokratike. Ata duan te dërgojnë vendin në zgjedhje. Mbase ky edhe ka qenë plani që nga e para. Partitë opozitare, të gjitha së bashku, duhet të ngrijnë alarmin, madje edhe duke tërhequr përfaqësuesit e tyre nga KQZ-ja nëse nisma ligjore e VV-së për ndryshimin e ligjit për zgjedhje votohet”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës aktualisht është duke mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të jap mendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.