Arbëri

Qeveria nis të përgatitet për padinë e Devollit në Arbitrazh

Qeveria e Kosovës ka votuar me shumicë votash në mbledhjen e sotme propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen e ekspertit financiar që do të përpilojë ekspertizën financiare për rastin "Devolli" të kërkuar nga Tribunal i Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se afati i fundit për dorëzimin e ekspertizës ndaj padisë që i është bërë Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit është data 30 prill e këtij viti.

“Në momentin që kam pranuar detyrën për shkak të neglizhencës në të kaluarën jemi përballur me shumë situata emergjente ndaj të cilave duhen veprime të mëtejme për të mbrojtur Kosovën pranë Arbitrazhit ndërkombëtar ku jemi paditur si shtet. Në linjë me këtë propozoj ta shqyrtoni propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen eksperti financiar që të përpilojë ekspertizën financiare për rastin ICC HBH Devolli të kërkuar nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar. Afati për dorëzimin e ekspertizës është data 30 prill 2021 dhe mos respektimi i afateve do të ketë pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009, me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh.

Si rrjedhojë, 12 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi prej rreth 30 milionë eurosh ndaj ZMobile, një pjesë e të cilit është paguar. Pas mosvazhdimit të kontratës, tani kjo kompani po synon që nga Kosova t’i marrë edhe 25 milionë euro pikërisht për këtë arsye.

Pos kësaj, është prezantuar vlerësimi i Komisionit të granteve mbi pajtueshmërinë e sistemit të financimit të nivelit komunal gjatë vitit 20202.

Komisioni i granteve ka aprovuar grantet për financimin e komunave gjatë vitit 2020 si në vijim:

- Granti i përgjithshëm në shumën prej 193.3 milionë euro;

- Granti specifik për arsimin para universitar në shumën prej 205.5 milionë euro;

- Granti specifik për shëndetësi primare në shumën prej 61.7 milionë euro;

- Financimi për shëndetësi sekondare në shumën prej 2.6 milionë euro;

- Financimin për shërbimet rezidenciale në shumën prej 2.04 milionë euro;

- Financimin për qendrën historike të Prizrenit, Qendrën kulturore të fshatit Zym dhe Këshillin e Hoçës së Madhe në shumën prej 69,048 euro;

- Granti shtesë për financimin e kryeqytetit në shumën prej 11.77 milionë euro;

- Financimi për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit në shumën prej 4.2 milionë euro;

- Projeksionin e të hyrave vetanake komunale në shumën prej 83.1 milionë euro.

Financimi i aprovuar nga Komisioni i granteve për nivelin komunal për vitin 2020 ishte në shumën prej 579.76 milionë euro.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën për miratim të Buxhetit të Komunës së Mitrovicës, pas aprovimit të Buxhetit për vitin 2021 nga ana e Kuvendit Komunal të Mitrovicës më datë 04.02.2021.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është emëruar koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.

Është emëruar edhe Komiteti për Partneritet Publiko-Privat. Në përbërje të tij janë:

Hekuran Murati, Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kryesues;

Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtare;

Liburn Aliu, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar;

Artane Rizvanolli, Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, anëtare;

Elbert Krasniqi, Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar.

Janë vendosur edhe sanksionet ndaj katër personave dhe një entiteti kinez, “të përfshirë në abuzime dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në krahinën Xinjiang në Republikën Popullore të Kinës, bazuar në vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2021/481, të datës 22.03.2021”.

“Sanksionet konsistojnë në: 1. Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës për individët dhe entitetin e sanksionuar; 2. Ndalim të udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe 3. Ndalim për persona dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vejnë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, për individët dhe entitetin e sanksionuar”.