Arbëri

Shtyhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike

Descriptive Text

Zyra e Rregullatorit për Energji ka kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Në kërkesën e ZRRE-së kërkohet që KESCO të vazhdojë ta kryejë obligimin e shërbimit publik për konsumatorët në nivelit 35 dhe 10 kilovoltë.

Sipas njoftimit, deri te ky qëndrim ZRRE-ja ka ardhur pasi që Bordi i Rregullatorit është jofunksional dhe asnjë vendim s’mund të merret deri në kompletimin e Bordit nga Kuvendi.

“Dalja në treg për këtë grup të konsumatorëve është vështirësuar sidomos me situatën pandemike në vend. Shqetësime të mëdha janë ngritur për këtë çështje po ashtu nga të gjitha odat ekonomike për një rritje të kostos së energjisë dhe kufizim të qasjes në oferta nga më shumë se një furnizues, për shkak të koncentrimit të tregut në masë të madhe tek vetëm një furnizues. Po ashtu janë marrë për bazë edhe shqetësimet e palëve të tjera duke përfshirë edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë shfaqur brenga për konsekuencat që mund të vijnë nga kjo dalje e kushtëzuar e konsumatorëve në treg në këto rrethana”, thuhet në njoftim.

ZRRE-ja ka njoftuar në fund se vazhdimi i ofrimit të këtij shërbimi do të vlejë deri në një vendim të ri.

KOHA kishte raportuar ditë më parë se bizneset ishin ankuar se liberalizimi i tregut të energjisë do të rriste koston e energjisë elektrike për rreth 40 për qind.

Bizneset kishin kërkuar shtyrjen edhe për një vit.