Arbëri

Shukri Buja nuk do të mund të rigjykohet, i parashkruhet lënda

Ndonëse Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e Bujës, një gjë e tillë ligjërisht nuk është e mundshme. KOHA ka gjetur se të hënën është parashkruar pika e fundit e aktakuzës për korrupsion, me të cilën ngarkohej ai

Gati një dekadë prej kur kishin nisur hetimet për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur ta përmbyllnin këtë rast.

Të martën, Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se më 17 mars ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së Bujës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim në Apel. Buja ishte dënuar me burgim për korrupsion nga të dyja shkallët e Gjykatës.

Por, në bazë të analizës së aktakuzës, KOHA ka gjetur se rasti i Bujës së PDK-së më nuk mund të gjykohet. Kjo për shkak se më 29 mars të këtij viti, 12 ditë pas vendimit të Supremes, është parashkruar edhe pika e fundit për të cilën akuzohej Buja. Ai ishte dënuar nga të dyja shkallët e Gjykatës për pikën e 5 të aktakuzës, e që kishte të bënte me regjistrimin e pronave në emër të ndërmarrjes “Ferronikeli”, në mungesë të dokumentacionit valid. Veprimi i fundit inkriminues ishte ndërmarrë më 29 mars të vitit 2011. Ligjërisht, personat që kryejnë këtë vepër penale pas 10 vjetëve nuk mund të ndiqen e as të dënohen, edhe nëse gjenden fajtorë. Ky afat është përmbushur të hënën.

Avokati i Bujës, Arianit Koci, pretendon se të dyja shkallët e Gjykatës nuk kanë pasur argumente që ta dënojnë klientin e tij.

“Po behën spektakle të panevojshme, madje është caktuar edhe dita e vuajtjes së dënimit, duke e ditur që ka shkelje të mëdha. Unë kam qenë i bindur që do të aprovohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë. Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë e kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Supreme. Me nguti nuk mund të përcaktohet fajësia e dikujt”, ka thënë Koci.

Zvarritjet gati njëdekadëshe të sistemit të drejtësisë në këtë rast, për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kanë ndikuar që kjo lëndë të vdesë juridikisht. “Ky rast është gjykuar për veprime që kanë ndodhur tash më shumë se dhjetë vjet. Ky rast, për të cilin është marrë aktvendim më 2012, është shoqëruar me vonesa të shumta, rikthim në gjykim të lëndës, që ka ndikuar që një numër i madh i veprave penale të parashkruhen, apo persona të tjerë nuk arritur të gjykohen, sepse thjesht kanë arritur afatin e parashkrimit”, ka deklaruar Miftaraj.

Buja me shumë zyrtarë të Komunës së Lipjanit akuzoheshin për vepra të ndryshme të kapitullit të korrupsionit në Kodin Penal. Pretendimet e Prokurorisë ngarkonin Bujën për shtatë pika të aktakuzës, për periudhën ndërmjet viteve 2008 deri më 2011. Pesë nga këto pika janë parashkruar gjatë gjykimit.

Hetimi i nisur më 7 shkurt të vitit 2012 është finalizuar me aktakuzë në shkurtin e 2017-s.

Fillimisht Buja ishte dënuar më 3 vjet burgim.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e pati prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Për të dytën herë, gjykimi ishte zvarritur më shumë së një vit, vetëm për seancën e parë.

Në shtator të vitit 2020, Buja ishte dënuar për dy pika të aktakuzës, të cilat kishin mbetur të pavjetërsuara.

Por, derisa lënda ishte në Apel, njëra pikë u parashkrua. Kjo ka bërë që Apeli nga dy vjet t’ia ulte dënimin në një vit burgim efektiv.

Më pas, pika e vetme valide e kësaj aktakuze mbeti ajo e kryer në fund të marsit të vitit 2011, e cila u parashkrua para disa ditësh.

Parashkrimi është vjetërsim i akuzës, kur ajo kalon dyfishin e kohës së paraparë të dënimit, pa aktgjykim dënues të plotfuqishëm.

Buja është zyrtari më i lartë në Kosovë që nga viti 2015 ishte dënuar me burgim efektiv në shkallën e parë. Zyrtarët e tjerë janë dënuar me gjoba, ose me burgim me kusht.