Arbëri

Mbrojtja e të dënuarit për krime lufte, Tasiq, kërkon ulje tjetër të dënimit

Ulja e dënimit nga 22 në 11 vjet burgim ndaj të dënuarit për krime lufte, Darko Tasiq, nuk i ka mjaftuar mbrojtjes së tij.

Katër muaj pasi Apeli uli dënimin ndaj Tasiqit, mbrojtja e tij ka bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë duke kërkuar që dënimi ndaj klientit të tij të zbutet ende.

Kjo pasi në kërkesën, të cilën avokati Dejan Saviq e ka dorëzuar më 2 mars të këtij viti pretendohet se është shkelur ligji penal.

Një javë më vonë kësaj kërkese i është përgjigjur prokurorja e rastit, Drita Hajdari.

Në përgjigjen e siguruar nga KOHA, Hajdari i propozon Supremes që të hedhë poshtë kërkesën e avokatit të Tasiqit, në të kundërtën, sipas saj, mund të krijohet shembull i rrezikshëm në dënimet për krime lufte.

“Kjo prokurori konsideron se me aprovimin eventual të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësit të të akuzuarit mund të krijohet një precedent i rrezikshëm, që për krime lufte në Kosovë të shqiptohen dënime më të ulëta sesa ato që janë shqiptuar në Serbi për veprat e njëjta”, thuhet në përgjigjen e Hajdarit.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili ka monitoruar këtë rast, beson se vendimi i shkallës së dytë do të mbetet në fuqi, derisa nuk e vlerëson si precedent të rrezikshëm ndryshimin eventual të lartësisë së dënimit.

“Nuk po shoh këtu ndonjë rrezik nëse për shembull rritet dënimi për dy vjet ose ulet dënimi për 1 vit, që do të jetë një precedent i rrezikshëm pasi që dënimi është në kornizë të ligjit penal prej 5 deri në 15 vjet burgim”, ka thënë Alija.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e familjarëve të viktimave vazhdojnë të kundërshtojnë uljen e dënimit, derisa tani kërkojnë që rasti të kthehet në rigjykim.

“Ne nuk duam që të ndërhyjmë në drejtësi, por duam drejtësi. E kam theksuar disa herë se drejtësia ka probleme me gjithë faktin dënohen me ish-ligjet e Jugosllavisë e që tani po del se këto ligje i shkojnë për shtati të dënuarve, në këtë rast kriminelit Tasiq e jo palëve të dëmtuara”, ka deklaruar Selami Hoti, përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve në Krushë të Madhe.

Kurse në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se prokurorja duhet t’i kërkojë Supremes mbrojtjen e ligjshmërisë, por me këtë veprim, sipas IKD-së, Tasiqit nuk mund t’i rritet dënimi.
“Çdo vendim që merret në Gjykatën Supreme në këtë rast është vetëm të konstatohen shkeljet potenciale procedurale të Gjykatës së Apelit”, është shprehur Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Rreth çështjes së mbrojtjes të ligjshmërisë, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga prokurorja speciale Drita Hajdari, por ajo nuk është përgjigjur.