Arbëri

Peci: Nga viti 2015 Kosova nuk ka bërë ndonjë avancim në skenën ndërkombëtare

Drejtori i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka thënë se goditja më e rëndë që i është dhënë Kosovës ka qenë me raportin e Dick Martyt më 2011, teksa ka treguar se Kosova është përballur me plot probleme gjatë periudhës pas pavarësisë.

“Kur është shpallë pavarësia, Kosova ka trashëguar probleme të mëdha për shkak të kaluarës së saj. Një pjesë e institucioneve nuk kanë ekzistuar. Kosova e ka marrë goditjen kryesore në 2010 me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por në fillim të 2011 me raportin e Dick Martyt që është goditja më e madhe që i është bë dhe pasojat që po i përjetojmë edhe sot. Kjo ka pasë ndikim të madh në imazhin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Procesi i njohjeve ka shkuar mirë, deri më 2015 me plot probleme por u nxirr disi MSA-ja. Prej 2015 ne realisht nuk kemi ndonjë avancim të Kosovës në skenën ndërkombëtare apo në raport me institucionet ndërkombëtare. Pësuam fiasko në UNESCO, Interpol, e vetmja që meriton të përmendet është shndërrimi i FSK-së”, ka thënë ai në Deskun e KTV-së.

Peci duke komentuar vendimin e fundit të LDK-së që të jetë pjesë e votimit të presidentit të Kosovës, ka thënë se është shenjë e mirë e largimit të moskulturës së partive politike nga e kaluara.

Megjithatë, ka shtuar se nuk ka ndryshuar situata ende pa u kthyer kjo në traditë parlamentare ku partitë duhet të marrin përgjegjësinë dhe të mos bojkotojmë mbledhjet e tilla.

“Partitë politike në Kosovë duhet të mësojnë të qëndrojnë në parlament edhe kur kemi situate delikate sepse aty zhvillohet demokracia. Demokracia nuk zhvillohet përmes bojkotit. LDK-ja ka bë hap të duhur në këtë drejtim. Është shenjë e mirë e largimit nga ajo moskulturë politikë që e kemi pasë në të kaluaren. Është sinjal pozitiv. Mund të përsërisim zgjedhjet por do jemi në gjendjen e njëjtë. Kemi sinjal të ndryshimit, nuk ka ndryshuar ende sepse të ndryshohet kjo duhet të shndërrohet në traditë parlamentare”, ka thënë ai.

Sipas Pecit, kjo periudhë e qeverisë së re do jetë dalje nga kriza politike sepse për herë të parë, tha ai, ka një qeveri stabile.

“Ky është fillimi i daljes nga kriza politike sepse për herë të parë e kemi një qeveri që me nurmat që ka, ka stabilitet të qëndrueshëm. Cilado qofshin anëtarët e koalicionit, nuk e kanë fuqinë ta prishin koalicionin gjatë 4 viteve”, ka thënë ai.