Arbëri

Gërmimet në Kizhevak vazhdojnë së shpejti, të enjten takimi me ekspertët serbë

Përmirësimi i motit pritet të sjellë së shpejti vazhdimin e gërmimeve për personat e pagjetur, të cilat u ndërprenë gjatë dimrit.

Varreza masive në Kizhevak të Serbisë është ndër lokacionet e para ku do të zhvillohen punime.

E për këtë qëllim, të enjten në Prishtinë do të takohen ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës dhe Serbisë.

“Është çështje, takim në nivelin profesional për të diskutuar më tutje në mënyrë të veçantë për rastin e lokacionit në Kizhevak sepse ju e dini që gërmimet në këtë lokacion janë ndërprerë në fund të vitit të kaluar për shkak të kushteve të motit me rekomandim të ekspertëve dhe në këtë rast në bazë të rekomandimeve apo sugjerimit të ekspertëve do të shqyrtohet mundësia për të vazhduar gërmimet ditët në vijim”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur

Paralelisht me Kizhevakun, gërmimet për të pagjeturit do të vazhdojnë edhe nëpër disa lokacione në Kosovë.

“Ka pasur disa gërmime edhe gjatë këtyre ditëve në lokacionet e shënjuara në varrezat e lagjes 'Arbanë' në Prizren, pastaj në varrezat e lagjes 'Brekoc' në komunë të Gjakovës, është një lokacion për të cilin tanimë është siguruar urdhëresa në fshatin Planej të regjionit të Hasit”, ka shtuar Gara.

Meqë për shkak të motit të ligë vitin e kaluar familjarët nuk morën pjesë gjatë gërmimeve në Kizhevak, përfaqësuesit e tyre kërkojnë që kjo t’u mundësohet sivjet.

Në varrezën e Kizhevakut dyshohet se janë të varrosur rreth 15 persona. Brenda territorit të Serbisë janë shënjuar disa lokacione për gërmime në rajonin e Rashkës dhe Novi Pazarit, duke përfshirë edhe Shtavalin.

Pas ndërrimit të qeverisë, ende nuk është caktuar kryesuesi i Komisioni për Personat e Pagjetur. KOHA ka pyetur qeverinë Kurti se cila do të jetë qasja e saj ndaj çështjes së të pagjeturve, por nuk ka marrë përgjigje.