Arbëri

MPJ-ja rekrutoi me tender 3 zyrtarë, tri ditë para se të formohej Qeveria e re

Pak para se të formohej Qeveria e re, Ministria e Punëve të Jashtme i ka kontraktuar tre zyrtarë nëpërmjet një tenderi. Në mesin e tyre është edhe një ish-konsull, të cilin e pati shkarkuar Glauk Konjufca sa ishte ministër, nën arsyetimin se ishte emëruar jashtëligjshëm. Në Kabinetin e kryediplomates Donika Gërvalla thonë se llupën e kanë vënë edhe mbi këto punësime

Tri ditë para se të formohej Qeveria e re, një dikaster i saj ka bërë punësime me tender. Ministria e Punëve të Jashtme ka kontraktuar tre zyrtarë për të shërbyer për 36 muajt në vijim.

Henor Pakashtica është njëri nga ta. Në kohën sa ministria drejtohej nga Behgjet Pacolli, ai ishte emëruar Konsull në Ambasadën në Sofje. E, pak kohë pasi Glauk Konjufca u bë kryediplomat, ai e anuloi këtë vendim dhe shumë të tjerë, pasi gjeti se emërimi ishte bërë jashtëligjshëm.

Por, kur Ministria u drejtua nga Meliza Haradinaj, u gjet një formulë për rekrutimin e Pakashticës.

Ai u angazhua si Ekspert për Diplomaci Ekonomike nëpërmjet tenderit për Shërbime të veçanta ekspertësh për mbështetje profesionale të Ministrisë në procesin e reformës dhe ri-organizimit të brendshëm. Kontrata i çon në xhepin e tij 17 mijë e 247 euro.

Pakashtica refuzoi të tregonte nëse lidhjet politike i kanë shërbyer për të lidhur këtë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë, ani se të premten tha të jetë i gatshëm që të flasë.

Me të njëjtin tender janë bërë edhe dy rekrutime.

Lendita Krasniç është angazhuar si Eksperte për Menaxhim dhe Administrim. Kontrata me të peshon 30 mijë e 600 euro.

Si Eksperte për Menaxhim dhe Administrim është kontraktuar edhe Vlora Brovina Lama, dhe vlera e kontratës me të është 19 mijë e 800 euro.

Edhe këto të dyja kanë refuzuar të deklarohen në lidhje me angazhimin në Ministri.

E në kabinetin e kryediplomates së re, Donika Gërvalla, thonë ta kenë vënë llupën edhe mbi këto kontrata.

“Për momentin nuk kemi përgjigje. Jemi në fluksin e punëve dhe jemi duke u marrë edhe me këtë çështje”, kanë thënë në kabinetin e ministres Gërvalla.

Burime të KOHËS në Ministri thonë se Lendita Krasniç dhe Vlora Brovina Lama janë sistemuar në Departamentin për Buxhet dhe Financa, por se ky sistemim nuk përkon me përshkimin të detyrave të punës, me të cilin janë kontraktuar.

E Henor Pakashtica është sistemuar në Departamentin për Diplomaci Ekonomike, që drejtohet nga Shkëlzen Morina, i cili aktualisht ushtron detyrën e Sekretarit te Përgjithshëm.