Arbëri

MSH-ja: Të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike të presin thirrjen për vaksinim

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje personave mbi moshën 80-vjeçare dhe atyre me sëmundje kronike që të presin thirrjen për vaksinim dhe të mos shkojnë nëpër qendrat e vaksinimit.

Përmes një komunikate, MSH-ja ka bërë të ditur se të parët që do të vaksinohen janë profesionistët shëndetësorë e pastaj grupet tjera sipas Planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19, përfshirë personat e moshës mbi 80 vjeçare

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit kundër COVID-19 dhe lëhtësimit të qasjes në këtë proces, sidomos për grupet prioritare që do të vaksinohen me dozat e para të vaksinës kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje personave të moshës mbi 80 vjeçare dhe atyre me sëmundje kronike, që të presin thirrjen për vaksinim nga njësitë e vaksinimit dhe mos të drejtohen në qendrën e vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të vaksinimit, para se të marrin ftesën për marrje të vaksinës”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit në çdo komunë për t’u vaksinuar, sipas listave të siguruara nga institucionet e vendit, derisa për t’u siguruar përfshirja e plotë e tyre në lista, gjatë ditës së marte, në dispozicion të qytetarëve do të jetë edhe një platformë elektronike, krahas regjistrimit klasik.

“Prandaj, me mirëkuptimin e plotë, MSh u bën thirrje personave të moshuar, që të presin thirrjet për vaksinim dhe të veprojnë sipas udhëzimeve që do t’i marrin gjatë gjithë procesit të vaksinimit të tyre kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.