Arbëri

Seanca për presidentin mund të mbahet gjatë javës së ardhshme

Lëvizja Vetëvendosje pret që brenda pak ditësh të vihet në rend dite zgjedhja e presidentit të Kosovës. Burime të “Kohës” kanë bërë të ditur se seanca mund të mbahet gjatë javës së ardhshme. Në Vetëvendosje nuk presin probleme në konstituimin e institucionit më të lartë në vend. Po ashtu shprehen kundër një kompromisi të mundshëm për zgjedhjen e presidentit, përveç emrit të Vjosa Osmanit

Seanca për zgjedhjen e presidentit mund të thirret gjatë javës së ardhshme. Kështu ka mësuar “Koha” nga burime të saj.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka deklaruar se janë duke u angazhuar që sa më shpejt të përmbyllet zgjedhja e presidentit.

Sipas tij, kjo parti, bashkë me deputetët e tjerë me të cilët bashkëqeveris, i kanë mbi 60 vota për presidentin.

“Natyrisht, duke i parë rrethanat, shumica e deputetëve të Kosovës janë që të zgjidhet presidente Vjosa Osmani dhe shpresojmë që edhe deputetët e subjekteve të tjera ta kryejnë detyrën e tyre dhe qëndrimin në sallë, varësisht prej vullnetit që e kanë për votim kundër apo për. Krejt çka po kërkohet është që të vijmë në sallë dhe ta kryejmë procesin për çka jemi të thirrur dhe kemi marrë mandatin nga populli. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë pengesë në këtë drejtim dhe besoj se kjo do të jetë çështje ditësh se kur do të ndodhë”, ka thënë ai.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që vendi të mund të shkojë në zgjedhje të reja në rast se nuk zgjidhet presidenti.

“Jam i bindur se nuk do të ketë nevojë për zgjedhje të reja, por do të kemi president të ri shumë shpejt. Nuk ka nevojë për kompromise, për shkak se shumica e votave janë në Kuvend për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente, andaj edhe nuk mendoj të kemi kompromise”, ka shtuar Rrahmani.

“Koha” ka raportuar një ditë më parë se Osmanit mund t’i prishë punë vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën se si është bërë zëvendësimi i deputetëve në legjislaturën e kaluar.

Sipas Kushtetueses, pas sigurimit të kuotës gjinore prej 30 për qind, zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet në bazë të votave të marra, e jo në bazë të gjinisë, siç ka ndodhur deri më tani.

Zgjedhja ose jo e Vjosa Osmanit presidente varet nga qëndrimi që LDK-ja pritet të marrë javën e ardhshme. Pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të kësaj partie nuk mund të sigurohet kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e saj.