Arbëri

Selmanaj: LDK ta ndjek rrugën e Rugovës – ta mbështes Haradinajn për kryeministër

Kryetari i Komunës se Deçanit, Rasim Selmanaj, i bindur se lideri i AAK-së, njëherësh i nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj do ta formojë qeverinë e re, i ka kërkuar LDK-së që t’i bashkohet kësaj qeverisjeje.

Ai ka thënë se një qeveri e udhëhequr nga Haradinaj do të ishte një mundësi dhe shpresë për ndryshime.

Selmanaj, në një postim në Facebook, ka thënë se “nëse në LDK ka mbet diçka nga rugovizmi, atëherë ndjekeni rrugën e Ibrahim Rugovës i cili kishte bërë koalicion me Aleancën duke nominuar Ramush Haradinajn kryeministër”.

“Përderisa në zgjedhjet e fundit u bashkuat me PDK-në dhe Hashim Thaçin, pse të mos bashkoheni me Ramushin dhe koalicionit fitues PAN. Një qeveri e re me imazh të ri, e udhëhequr nga Ramushi, do të ishte një mundësi dhe shpresë për ndryshime”, ka shkruar Selmanaj.

“Unë du me besu se partitë politike kanë me reflektu pozitivisht në rrethanat e reja të krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit”, ka përfunduar Selmanaj.