Arbëri

LDK-ja reagon pasi Rama-Hajrizi uroi Kurtin: Afërsi e paprecedentë e Kushtetueses me Qeverinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas letrës së kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizit, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, për ta uruar për marrjen e detyrës.

LDK-ja, këtë e ka quajtur “afërsi të paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin”.

Kushtetuesja për vite ka ruajtur kredibilitetin e saj, thuhet tutje në reagimin e kësaj partie, duke shtuar se pushteti i Gjykatës është i pavarur nga ai i Qeverisë.

“Tani çdo afrim, i Kryetares së Gjykatës, në emër të Gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë”, thuhet në reagim.

Letra e kryetares së Kushtetueses drejtuar Kurtit: E shëmtuar, ndikon në pavarësinë e institucionit

Për herë të parë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i ka shkruar letër urimi një kryeministri të ri.

Më herët, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, e ka quajtur të shëmtuar letrën e Rama-Hajrizit. Hasani ka thënë se kjo ndikon drejtpërdrejt në pavarësinë e institucionit. Madje, tha se s’ka askund tjetër praktikë të tillë kur kreu i Kushtetueses uron shefin e Qeverisë.

“Kjo është gjë e shëmtuar. Nuk mund të jetë praktikë asnjëherë. Kurrë në mandatin tim nuk ka mund të paramendoni një gjë e tillë. As në pritjet protokollare nuk janë ftuar kurrë shefi i ekzekutivit në kohën tim”, thotë Hasani, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

Hasani ka thënë se në kohën e tij as fotografia e shefit të Shtetit nuk ishte vendosur në hapësirat e Gjykatës Kushtetuese pasi përbën konflikt të interesit.

“Nuk ka logjikë pala të jetë në fotot nëpër hapësirat e Gjykatës Kushtetuese. Në pritjet protokollare ndërkaq, Kuvendi dhe Shefi Shteti ftohen po edhe aty asnjëherë nuk guxojnë të paraqiten si folës. Dmth Gjykata Kushtetuese duhet edhe formalisht të demonstroj pavarësinë e saj”, ka thënë ai.

Edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se kurrë më herët asnjë Kryetar Gjykate nuk ka dërguar letër-urimi Kryeministrit.

“Nuk kemi pasur një praktikë të tillë kur isha pjesë e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu derisa nuk ka dashur të komentojë për më shumë.

Albin Kurti kishte acaruar raportet me Gjykatën Kushtetuese, sidomos në kohën në maj të vitit 2020, kur trajtohej dekreti i Presidentit të atëhershëm për mandatin e Avdullah Hotiti për Kryeministër. Kushtetuesja i kishte cilësuar si presion dhe kërcënime deklaratat e Albin Kurtit si Kryeministër në detyrë.

Arta Rama-Hajrizi do të jetë në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe 57 ditë kur edhe i përfundon mandati.