Arbëri

Shtyhet ardhja e vaksinave nëpërmjet COVAX-it, zvogëlohet edhe sasia

Edhe për së paku tri javë është shtyrë ardhja e vaksinave anti-COVID të “AstraZenecas” në Kosovë, nëpërmjet programit COVAX. Madje është zvogëluar edhe numri i dozave që ishte paraparë të vinte në kontingjentin e parë, nga rreth 33 mijë në 24 mijë.

KOHA ka mësuar se pak ditë më parë, programi COVAX, nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se ka mundësi që vaksinat të vonohen edhe deri në tri javë, pasi paraprakisht ishte përfolur java e tretë e marsit si kohë për ardhjen e dozave të para.

Sipas dy burimeve, COVAX-i ka bërë të ditur se dozat që nuk do të vijnë në kontingjentin e parë, do të vijnë në atë pasues.

Letra vjen si përgjigje ndaj asaj që ish-ministri Armend Zemaj i ishte drejtuar COVAX-it me kërkesën për prurje të vaksinave, pasi Kosova kishte ngelur shteti i vetëm në Evropë që s’ka marrë asnjë dozë të vaksinës.

COVAX-i i kishte premtuar Kosovës rreth 100 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas” për ta ndihmuar në luftimin e koronavirusit.

Kosova është ndër vendet e pakta në botë që ende s’ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit edhe pse autoritetet ishin zotuar në fillim të vitit se vaksinimi do të nisë në muajin shkurt.

Aktualisht në vend janë 12 mijë e 934 raste aktive, në një kohë kur po regjistrohen shifra rekorde për vitin 2021. Si pasojë e COVID-19, në Kosovë, nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 1813 persona.