Arbëri

QUINT-i u drejtohet Qeverisë dhe opozitës: Detyrë e parë është zgjedhja e presidentit

Descriptive Text

Shtetet e QUINT-it kanë kërkuar që pushteti i ri dhe opozita të punojnë për prioritetet e përbashkëta, duke cekur se detyrë e parë është zgjedhja e presidentit të ri.

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë uruar qeverinë e re, Kurti, dhe Kuvendin dhe i kanë inkurajuar të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive.

Sipas njoftimit, këto shtete kanë thënë se në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën.

“Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje që fitoi mbi 50 për qind të votave ka kandiduar për presidente Vjosa Osmanin. Qeveria aktualisht konsiderohet se i ka 66 deputetë në Kuvend – 58 të VV-së dhe 8 të komuniteteve joserbe. Pa siguruar 80 vota në Kuvend, dhe se mbi 61 prej tyre të jenë pro Osmanit, ajo s’do të mund të zgjidhet presidente.

Jetëgjatësia e legjislaturës së re pikërisht do të varet nga procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit, meqë Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit në rast se deputetët dështojnë në tri runde ta zgjedhin presidentin.