Arbëri

Zyra për Luginën mbetet vetëm në letër

Descriptive Text

Po bëhen 6 muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka themeluar Zyrën për Ofrimin e Asistencës ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës, por deri më sot kjo zyrë ende nuk është funksionalizuar.

Në fillim të këtij viti Qeveria e ka miratuar planin e punës, ku parashihej që po në janar, të emërohej drejtori i kësaj zyre dhe dy asistentë, por as kjo nuk ka ndodhur.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka thënë Kohës se iniciativa për themelimin e kësaj zyre nga Qeveria e Kosovës, kryesisht ka pasur qëllime të përfitimeve politike.

“Zyra për Luginën është një zyrë të cilën e ka bërë kryeministri Hoti për qëllime thjesht politike dhe assesi për funksionalizimin e saj dhe kontributin që mund ta japë në drejtim të Luginës së Preshevës. Në të gjitha takimet të cilat kanë qenë të parapara në lidhje me këtë zyrë, unë thjesht i kam bojkotuar sepse e kam parë që nuk janë seriozë në qasje dhe nuk e kanë qëllimin kryesor të Luginës së Preshevës, i cili nuk është për të patur vetëm një Zyrë por edhe Fondin Kombëtar të Solidaritetit”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, thotë se beson që kjo zyrë ka mbetur pa u funksionalizuar për shkak të zhvillimeve politike dhe elektorale që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë.

“Konsideroj që Qeveria e re në ardhje do të duhej t'i shqyrtojë dy mundësi apo dy vendime të cilat i ka ndërmarrë qeveria paraprake, ajo është çështja e zyrës për asistencë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe fondi ndërshtetëror me Republikën e Shqipërisë për Luginën e Preshevës”, është shprehur Mustafa.

Sipas planit të punës së kësaj zyre, në mars e prill, ishte paraparë hartimi i nismës legjislative për të lehtësuar procesin e pajisjes me dokumente të shtetësisë së Kosovës për banorët e Luginës që kanë vite që jetojnë në Kosovë e që nuk i kanë dokumentet përkatëse.

“Çdo ditë e më shumë që bëhen vonesa në këtë zyrë do të thotë trajtim i pabarabartë i shqiptarëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Kosovë. Mosfunksionalizimi i saj nuk lejon marrjen e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës Lindore që jetojnë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kushtrim Kadriu, ish-koordinator i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Për arsyet se pse nuk është funksionalizuar kjo zyrë edhe gjashtë muaj pas themelimit, KOHA ka nisur pyetje në Qeverinë e Kosovës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Përmes Zyrës së Luginës së Preshevës ishte planifikuar asistencë në arsim, kulturë, ekonomi e fusha të tjera për qytetarët shqiptarë që jetojnë atje.