Arbëri

Dhjetë shtetas të huaj ikën nga Qendra e mbajtjes në Vranidoll pasi sulmuan rojet

Mbrëmjen e 8 marsit, 10 shtetas të huaj që po mbaheshin në Qendrën e mbajtjes për të huaj në Vranidoll, u revoltuan dhe sulmuan pjesëtarët e sigurimit.

Sipas burimeve të KOHËS, pjesëtarët e sigurimit ishin lidhur e mbyllur në dhoma të ndryshme derisa shtetasit e huaj ishin larguar.

Rreth incidentit, televizioni ka provuar të flasë me drejtorin Selman Nimani, por vetëm përmes telefonit ai ka treguar që duhet të kërkohet leje nga Ministria e Punëve të Brendshme për intervistimin e tij. Këta të fundit, nuk janë përgjigjur për këtë, e për incidentin ka thënë që duhet t’i drejtohemi policisë për detaje të tjera.

Rasti nuk ka figuruar në raportin 24-orësh të Policisë.

Mirëpo, në një përgjigje për KOHËN, Policia ka njoftuar se kanë mbetur të lënduar 3 pjesëtarë të sigurimit.

Tutje, ky institucion ka bërë me dije se tetë nga dhjetë të dyshuarit ende janë në arrati.

“Më datë 09.03.2021, dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit janë dërguar në Qendrën e mbajtjes për të huaj në fshatin Vranidoll, ndërsa tetë të dyshuarit e tjerë gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Qendrën për mbajtjen e të huajve, për punën e gardianëve është e kontraktuar kompania e sigurimeve fizike “Rojet e Nderit”. Në një bisedë telefonike, ata kanë konstatuar se incidenti nuk është i përmasave të mëdha, derisa udhëzuan që për detaje të tjera t’u drejtohemi me e-mail, e të presim për përgjigje zyrtare.

Pavarësisht kësaj, ata nuk u janë përgjigjur as pyetjeve të dërguara përmes e-mailt.

Policia e Kosovës kohëve të fundit ka evidentuar raste të shumta të problemeve në qendrat në Vranidoll. Ndër to është edhe raportimi për arrestimin e një shtetasi të huaj, i cili ua kishte vënë zjarrin mbulesave të dhomës, me ç’rast një pjesë e objektit ishte përfshirë nga flakët.

Në janar të këtij viti ka pasur përleshje me armë të ftohta mes azilkërkuesve dhe, për pasojë, kishte mbetur i plagosur një person, shtetas i huaj.