Arbëri

BE-ja reagon pas postimit të Vuçiqit: Palët të përmbahen nga deklaratat kundërproduktive

Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga deklaratat që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Në përgjigje për KOHËN lidhur me fotografinë ku është paraqitur harta e Kosovës me flamurin serb në të, nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, BE-ja ka thënë se vendet e rajonit nuk duhet të krijojnë atmosferë të pafavorshme për stabilitetin rajonal.

“Bashkimi Evropian gjithnjë u ka bërë thirrje akterëve politikë në Serbi, Kosovë dhe pjesës tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, e jo të kundërtën. Siç kemi thënë shumë herë përgjatë vitesh, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, i ka thënë një zëdhënës i BE-së KOHËS.

Vuçiq, në kujtim të “Trazirave të marsit”, ka shkruar se nuk harron dhe nuk do të lejojë që “17 marsi të ndodhë sërish”.

Ndërsa, në fotografi poshtë hartës ai ka shkruar: “Kosova nuk është barra, por kryqi ynë, e nga kryqi më shumë se nga barra shihet rilindja”.

Pas postimit, reagimet kundër Vuçiqit kanë qenë të shumta. Nga skena politike shqiptare kanë reaguar disa akterë, ndërkohë në rrjetet sociale ka filluar edhe raportimi i fotografisë së Vuçiqit në Instagram si përmbajtje e papranueshme.