Arbëri

Kurti: Prokuroria dështoi në rastin e Sebahate Morinës

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se Prokuroria e Shtetit ka dështuar në rastin e Sebahate Morinës, që ditë më parë u vra nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas kreu edhe vetëvrasje.

Në Interaktiv të KTV-së, Kurti ka treguar se Sebahate Morina kishte pasur urdhërmbrojtje nga Gjykata Themelore në Prishtinë deri në dhjetor të vitit 2020, dhe me përsëritjen e dhunës në familje nga ish-bashkëshorti i saj, Prokuroria është dashur të merrte masa.

“Sonte kemi pas një aksion përkujtimor, por edhe denoncues. Është organizuar nga aktivistë të ndryshëm. Shkoi me ndezje të qirinjve e me lule për të ndjerën Sebahate Morina e duke mbajtur një parullë asnjë më shumë që denoncon dhunën ndaj grave por edhe vrasjen ndaj grave, të cilave u themi mjaft. U drejtohemi institucioneve me këtë mesazh sepse si në këtë rast, por edhe të tjera, sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe RRGK-së janë paraqitur prova që tregojnë se Prokuroria s’ka bërë detyrën e vet siç duhet duke mos e mbrojtur nga vrasja potenciale”, ka treguar fillimisht ajo.

Kurti ka njoftuar se më 3 mars, Morina ishte ankuar në Polici për dhunën ndaj saj, “mirëpo i ndjeri nuk është marrë në paraburgim a diçka të tillë edhe pse ishte recidivist i veprës sepse ishte në paraburgim për këtë vepër më 2012”.

“Sebahate Morina ka pasur urdhërmbrojtje nga Gjykata Themelore në Prishtinë deri në dhjetor të vitit 2020. Me t’u raportuar një përsëritje të veprës, Prokuroria është dashur të merrte masa, por ajo s’ndodhi me arsyetimin se viktima ka thënë se s’ka nevojë për trajtim mjekësor sepse ka qenë diçka momentale, e nuk ishte paraqitur një ditë më vonë për t’u rideklaruar. Bashkëshorti i saj ka thënë se s’ka ushtruar dhunë. Për ne është e papranueshme sepse Prokuroria duhet të marrë masa e jo të rrijë. Nuk i ka dalë në mbrojtje dhe me zë të plotë themi se është shkelur Kushtetuta e Kosovës sepse me këtë Kushtetutë çdo qytetar ka të drejtë jete”, ka thënë ajo.

Kurti ka thënë se sikur në rastin kur Kryeprokurori i Shtetit vendosi të caktonte prokuror të ri në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, duhet të merren masa edhe kur bëhet fjalë për dhunën ndaj grave. Ajo është ankuar se tek kualifikimi i veprave ka shumë ngecje. Ka thënë se ka raste kur tentimvrasjet ndaj grave cilësohen si raste të dhunës, që janë me dënime më të vogla.

“S’mund të kthejmë gratë e vrara, por mund të kërkojmë drejtësi për to. Mund t’i mbrojmë gratë tjera që janë viktima të dhunës në familje apo baza gjinore”, ka thënë ajo duke shtuar se Prokuroria ka shkelur ligjet, Kushtetutën dhe Konventën e Stambollit në këtë rast.