Arbëri

Qeveria, që insistoi në miratimin e Ligjit për rimëkëmbje, e shkel atë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Qeveria në detyrë Hoti, që kishte insistuar dhe pas shtatë tentimesh e kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, e ka shkelur vetë atë. Kjo pasi ka përgjysmuar shumën e paraparë për subvencionimin e tarifës së burimeve të energjisë së ripërtëritshme për të gjithë konsumatorët. Ndarja e vetëm 8 nga 16 milionë sa janë premtuar, sipas KESCO-s, do të ndikojë që zbritja në faturat e energjisë të vlejë vetëm edhe për muajin mars e jo edhe për muajt prill dhe maj, siç ka qenë e paraparë me Ligjin për rimëkëmbje

Qeveria në detyrë, e cila me shumë ngulm pas shtatë tentimesh dhe vonesës katërmujore, e miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, e ka shkelur atë vetë tre muaj më pas.

Kjo pasi përmes një vendimi ka përgjysmuar shumën e paraparë për subvencionimin e tarifës së burimeve të energjisë së ripërtëritshme për të gjithë konsumatorët.

Ndarja e vetëm 8 milionë eurove për mbulimin e kësaj tarife do të ndikojë që zbritja në fatura të energjisë të vlejë vetëm edhe për muajin mars, e jo edhe për muajt prill dhe maj, siç ka qenë e paraparë me Ligjin për rimëkëmbje.

Qeveria nuk ka kthyer përgjigje pse është përgjysmuar kjo shumë.

Ky institucion, në janar të këtij viti, kishte marrë vendim për subvencionimin e tarifës për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme nga muaji janar deri në muajin maj në vlerë 16 milionë euro.

Bazuar në këtë ishte nënshkruar edhe një marrëveshje në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, KOSTT-it dhe KESCO-s, për zbatimin e këtij vendimi.

Por, më 12 shkurt, Qeveria ka marrë një vendim tjetër për përgjysmimin e shumës së paraparë për ta ndarë te prodhuesit, nga 16 milionë në 8 milionë. Ndërsa, më 15 mars ka marrë një vendim për alokimin e 8 milionë eurove për zbatimin e kësaj mase.

Në të njëjtën ditë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KOSTT-i dhe KESCO, kishin amandamentuar marrëveshjen e arritur në janar.

Bazuar në marrëveshjen e re është ndryshuar edhe vlera e zbritjes në faturat e konsumatorëve.

Nga KESCO kanë thënë për KOHËN se zbritja do të vlejë vetëm edhe për muajin mars.

“Marrë parasysh se në dy muajt janar dhe shkurt, si dy muaj kur konsumi është më i lartë, janë zbritur konform mbështetjes 16 milionë euro, shuma e mbetur për subvencionimin e muajve vijues pas ndryshimit të vendimit në 8 milionë euro ishte e ulët”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.

Sipas saj, periudha e përfitimit do të vlejë vetëm edhe për muajin mars dhe çmimi i zbritjes do të jetë 3.801 euro/MWh. Me marrëveshjen e kaluar, zbritja në faturë ka qenë 6.1 euro/MWh.

“Ritheksojmë, KESCO gjatë muajve janar-shkurt ka zbatuar zbritjen në faturat e energjisë elektrike dhe do të zbatojë zbritje edhe në faturat e muajit mars, por në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, si dhe amendamentit të marrëveshjes së nënshkruar nga palët e përfshira”, thuhet në përgjigje.

Edhe nga KOSTT kanë konfirmuar amandamentimin e marrëveshjes më 16 mars të 2021-s. Kjo, sipas këtij institucioni, është bërë në pajtim me vendimin e Qeverisë.

“Alokimi i këtyre mjeteve bëhet në baza mujore, në bazë të faturave të përgatitura nga KOSTT-i, që për bazë kanë konsumin mujor të energjisë elektrike të KESCO-s. KOSTT dhe KESCO, nën mbikëqyrje të ZRRE-së, janë implementues të marrëveshjes, duke u siguruar që konsumatori do të jetë përfitues i vlerës së parashikuar sipas amandamentimit të marrëveshjes të nënshkruar më datë 16 mars 2021”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

E, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se marrëveshja dhe zbatimi i saj kanë qenë të bazuara në vendimin e marrë nga Qeveria.

“Marrëveshja bazë ka qenë për mbulim të BRE-ve për 6 muaj, në masën prej 18 mln euro dhe, pas ndryshimit të vendimit, nga bartësit është bërë plotësim-ndryshimi i marrëveshjes në përputhje me vendimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas saj, pagesa e obligimeve të krijuara për janar dhe shkurt pritet të bëhet më 19 mars, në shumë prej 6.2 milionë euro, sipas faturave të dorëzuara nga KOSTT-i dhe se këto pagesa do t’i bëhen KOSTT-it.

Hetimi i subvencionimit të tarifës së BRE-së

Vetë përfshirja e kësaj mase në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike ishte parë me dyshime nga organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë denoncuar rastin në Komisionin e Ndihmës Shtetërore.

Asdren Osaj, zëvendëskryesues i Komisionit të Ndihmës Shtetërore, ka thënë se ky komision ka autorizuar Departamentin e Ndihmës Shtetërore t’i zgjerojë kërkimet në lidhje me skemën e ndihmës shtetërore të dhënë në fushën e energjisë nga burimet e ripërtëritshme nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.

Skema, sipas tij, është dhënë sipas rregullave që ZRRE-ja ka nxjerrë në vitin 2014 dhe rishikuar në vitin 2016 dhe sipas vendimeve V_673_2014 dhe V_810_2016, që përfshijnë tarifën nxitëse për gjeneratorët e energjisë nga këto burime alternative.

“Kërkimet për skemën në fjalë janë zgjeruar me synimin e identifikimit dhe harmonizimit të saj me rregullat e ndihmës shtetërore, duke qenë se e njëjta është ndihmë ekzistuese dhe rrjedhimisht kualifikohet për të qenë në inventarin e skemave të ndihmës shtetërore në Kosovë”, ka pohuar ai.

Sipas Osajt, zgjerimi i hulumtimit vjen pas vendimit negativ që komisioni nxori në fund të vitit të kaluar: shih vendimin 17/2020 publikuar në gazetën zyrtare.

“Aktualisht jemi në fazën e plotësimit të formularit për njoftimin e ndihmës nga ana e ZRRE-së. Procedura që do të ndiqet nga ana e departamentit është e krijuar, ndër të tjerash për t’i vërtetuar faktet dhe se vendimi përfundimtar i komisionit në lidhje me këtë masë të ndihmës nuk mund të paragjykohet”, ka theksuar ai.