Arbëri

Kosova në pritje të vaksinës së “AstraZenecas”, Zemaj thotë se po negociohet me disa kompani

Vaksina e kompanisë “AstraZenca” është e vetmja në pritje të së cilës është Kosova. Përveç saj, vendi nuk ka marrëveshje me ndonjë prodhues tjetër vaksinash.

Por, vaksina e “AstraZenecas”, që është siguruar nga mekanizmi COVAX, në pritje të së cilës është Kosova tash e disa muaj, është pezulluar nga përdormi nga më shumë se 10 shtete.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë në negociata me kompani të tjera që i kanë të licencuara vaksinat, duke përmendur se me kompaninë “Pfizer” janë shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje përfundimtare.

“Angazhimi ynë është që t’i marrim edhe vaksinat e tjera, ju e dini që jemi në komunikim të vazhdueshëm më “Pfizer” dhe nuk i kemi shkëputur asnjëherë kontaktet. Duket që është afruar pjesa zyrtare dhe protokollare, dhe po shpresojmë që edhe me ta të arrijmë marrëveshje për blerjen e vaksinave”, ka thënë ai.

Zemaj ka thënë se kanë pasur oferta për ta furnizuar Kosovën me vaksinën ruse “Sputnik”, mirëpo kanë refuzuar.

“Të vetmet kompani dhe vaksina që i kemi refuzuar janë të Vuçiqit dhe vaksinat e Rusisë edhe të Kinës, që dikush edhe mund t’i dëshirojë këtu në Republikën e Kosovës, apo që na akuzojnë e atakojnë në forma të ndryshme duke tentuar edhe institucionet tona”, ka deklaruar ai.

Valbon Krasniqi, drejtor i SHSKUK-së, ka thënë se mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 është vaksina dhe çdo vaksinë që është e aprovuar është e sigurt për përdorim.

“Nga aspekti profesional ne duhet ta dimë që potencialisht që çdo ilaç mund të ketë efekt anësor, nëse efektet e tilla anësore paraqiten te një numër i vogël i qytetarëve, si pacientëve kjo nuk është arsye për mos me e përdor”, është shprehur Krasniqi.

Pikërisht me vaksinën e “AstraZeneca”, në ditët në vazhdim pritet të vaksinohen rreth 100 persona të stafit mjekësor nga Kosova në Shqipëri.

Kjo vaksinë është miratuar për përdorim te të rriturit në më shumë se 50 vende të botës dhe është dëshmuar e sigurt dhe efektive në studimet e bëra në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut, por që efikasiteti i saj u vu në dyshim pas raportimit të disa rasteve të mpiksjes së gjakut midis personave që e kanë marrë një dozë të kurës.