Arbëri

Të enjten vendoset nëse shkollat do të shkojnë në pushim nga 22 marsi

Descriptive Text

Komiteti për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19 do të marrë vendim të enjten në lidhje me pushimin e paralajmëruar për shkollat nga data 22 mars.

Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj.

Ai ka thënë se vendimi që ishte paraparë të merrej sot do të merret nesër.

“Nesër pritet të merret vendimi pasi sot u diskutuan disa çështje lidhur me këtë propozim”, ka thënë Rexhaj.

Për pushim njëjavor për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar ishte paraqitur propozimi të martën, në një takim mes ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadani, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, SHSKUK-së, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve e drejtorive komunale të arsimit.

Pas takimit, gjatë një konference për media, Zemaj ka thënë se në bazë të situatës me pandeminë do të vendoset nëse do të kalohet për dy javë në mësim online, në mënyrë që të ulet numri i rasteve me COVID nëpër shkolla.

“Kemi ardhur në disa konkluzione, ku në ditën e nesërme do t’i vlerësojmë së bashku dhe do të marrim një vendim përfundimtar sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, që të kemi një shkuarje të parakohshme të pushimit të parakohshëm në të gjitha nivelet arsimore. Këtë në bazë të rekomandimeve dhe mbarëvajtjes së ruajtjes së shëndetit”, ka thënë Zemaj të martën.