Arbëri

Mbingarkohen klinikat e QKUK-së e spitalet nga pacientët me COVID-19

Shumë vende, që tashmë kanë filluar me vaksinimin kundër COVID-19, kanë vendosur edhe masa kufizuese, duke mos përjashtuar as izolimin total.

Së fundmi edhe shteti i Serbisë, nga kjo e martë e deri të hënën, është në izolim total si shkak i gjendjes së rënduar me pandeminë, duke ua lejuar punën vetëm dyqaneve ushqimore dhe farmacive.

Por Kosova është në mesin e vendeve të pakta që nuk ka të vendosur pothuajse asnjë masë kundër COVID-it dhe që ende nuk ka filluar vaksinimin, pavarësisht gjendjes së rënduar pandemike.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë 8 persona kanë vdekur e 553 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar. Pavarësisht shifrave, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se situata është stabile.

Pas një takimi të mbajtur zyrtarëve të institucioneve shëndetësore, Hoti ka treguar se masat e njëjta vazhdojnë të mbesin ende në fuqi.

Të menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë e ka cilësuar gjendjen në Kosovë edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Situata është e menaxhueshme është në kontroll të plotë nuk është e vërtetë që kemi 22% rritje, kemi pasur rritje deri në 15 %. Do të ndërmarrim masa kufizuese çdoherë ku e shohim se po përhapet infeksioni, sipas rekomandimeve që na bëhen”, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka treguar për gjendjen e rënduar që është në sistemin shëndetësor ditët e fundit.

“Tani kemi një rritje jashtëzakonisht të shpejtë të pacientëve që kërkojnë ndihmë spitalore, sot psh në nivel vendi përfshirë të gjitha spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK kemi mbi 740 pacientë që janë duke marr shërbime ose që janë të prekur nga COVIDI, ndërkohë që në janar dhe shkurt të këtij viti kishim diku 500 pacientë. Vetëm për 15 ditët e fundit ne kemi mbi 200 pacientë në klinikat tona dhe kjo është një ngarkesë për sistemin tonë shëndetësor se e dini që ne nuk kemi spital për COVID dhe rritja e numrit të rasteve nëse mund të them kushtimisht neve na detyron ta marrim një shtrat për një pacient tjetër”, tha drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Krasniqi ka treguar se shkaku i rritjes së numrit të pacientëve janë duke përgatitur hapësira të tjera në klinika të QKUK-së, për t’u ofruar trajtim personave me COVID.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, javën e kaluar gjatë takimit të Komitetit për menaxhimin e pandemisë ka thënë se në rast se situata në klinika të QKUK-së e në spitale rëndohet, atëherë do të rishikojnë mundësinë e kthimit të masave rigoroze.