Arbëri

Qytetarja që u sulmua me sprej nga Policia thotë se do t’i shkojë rastit deri në fund

Qytetarja Emina Haxhiu, ka treguar për ngjarjen e djeshme, ku ishte sulmuar me sprej nga zyrtarët policorë të Kosovës. Ajo ishte ndaluar nga zyrtarë policorë pasi nuk i kishte vënë maskë qenit të saj tetëmuajsh të racës pitbull.

Haxhiu ka treguar se po ka ende probleme me frymëmarrje, por gjendja e saj është e mirë. Ajo tregon se ka probleme me astma alergjike.

Sulmi ndaj qytetares në rrugën B në Prishtinë ka bërë bujë nëpër rrjete sociale.

“Kisha mbrëmë disa probleme prapë me astma alergjike. Jam duke përdorur terapi të vazhdueshme. Po kam probleme kohë pas kohe me frymëmarrje, por gjendja është e mirë. Nuk është edhe aq keq”, ka thënë Haxhiu në intervistë për emisionin SOT në KTV.

Ajo ka thënë se sjellja që kanë shfaqur policët ndaj saj e kanë bërë të mendojë dy herë për drejtësinë në Kosovë.

“Kjo sjellje e policëve ndaj meje më ka bërë të mendoj dy herë për drejtësinë e Kosovës. Si çdo ditë tjetër kam dal për shëtitje me qen. Dola për pesë minuta, pasi nuk po ndjehesha mirë. Katër ditë më herët lëndova meniskun e këmbës. Sapo isha te rruga B përballë fitnesit Five Star, erdhën disa djem, që ndaluan për të lozur me qenin. Në atë moment erdhën katër zyrtarë policorë e më pyetën se pse qeni nuk e ka të vendosur maskën. Unë me mirësjellje u tregova se qeni është tetëmuajsh e nuk është i rrezikshëm. Edhepse i racës pitbull, nuk është i rrezikshëm dhe është shumë miqësor me të gjithë. Vazhduan me pretekstin se qeni nuk ka maskë nuk guxon me rreziku qytetarët në atë mënyrë. Unë po mundohesha të shpjegoja situatën, por nuk e pata mirëkuptimin e Policisë. Unë kur flas instinktivisht bëjë gjeste me duar, dhe erdh një prej policeve e tha mos bë me dorë. Unë i thash se bëjë instinktivisht me duar. Erdh një zyrtar tjetër policor dhe ajo i tha atij që mos të merret me dua e të më shënojë dënimin 500 euro”, ka treguar Haxhiu.

Ajo ka thënë se ka pyetur zyrtarët policorë se në bazë të cilit nen po e dënojnë, por ata nuk i dhanë shpjegim.

“Ia dhashë letërnjoftimin. Erdhën edhe dy policë tjerë, pra u bënë dy gra e katër burra. E pyesja në bazë të cilit nen të ligjit po më gjobisin me 500 euro. Shikonin njëri-tjetrin, shihej se nuk e dinin ligjin, nuk dinin ku të bazoheshin. Më thonin je dal me këtë qen të rrezikshëm. Unë pyesja, e ata më thonin largohu mos u afro me këtë qen se të spërkati me sprej. Unë nuk e kam pritur një reagim të tillë prej Policisë sonë, vetëm më ka ardhur sprej fytyrës, gojës, hundës dhe syve”, ka treguar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se zakonisht vuan nga astma alergjikë dhe i ndodhë herë pas here që të pësojë kriza, nga stresi apo nëse është afër gjësendeve ndaj të cilave është alergjike, si hekur, pluhur, polen e disa medikamente.

“Filloi alergjia, kisha ngufatje, vështirësi me frymëmarrje, trupi filloi të më mbushej me shenja, gatisa nuk kolapsova. Ndihma e parë më shoqëri në ambulantë, e mora ndihmën me oksigjenoterapi atje, e më pas më dërguan në Emergjencë, ku u trajtova me medikamente”, ka treguar Haxhiu.

Ajo ka kërkuar falje për fyerjen që e ka përdorur ndaj Policisë pasi është spërkatur me sprej, por se ishte reagim në afekt. Po ashtu ka kërkuar falje për prishje të rendit, por ka thënë se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund.

“Do t’i shkoj kësaj pune deri në fund. Nuk isha as e armatosur e as nuk isha ndonjë narkomane që reaguan në atë mënyrë. Nuk dua të viktimizohem, pasi nuk është në natyrën time”, ka thënë Haxhiu.

Ajo shton se zyrtarët policorë që e sulmuan ishin të rinj dhe thotë se shihej se nuk kishin njohur për ligjin dhe kishin sjellje katastrofale.

https://www.koha.net/arberi/262433/koci-inspektorati-policor-te-marre-masa-ndaj-policeve-qe-i-hodhen-sprej-nje-vajze-ne-kryeqytet/