Arbëri

Dy të ndaluarit për dallavere me vota tek AAK-ja pretendojnë të jenë takuar me bashkëshortin e Bytyqit

Dy të ndaluarit për dallavere me vota në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në intervistën para Prokurorisë, kanë thënë se janë takuar me bashkëshortin e kandidates për deputete, Albana Bytyqi. Edhe pse s’janë bërë të ditura arsyet e takimit mes tyre, i dyshuari S.M. e kishte pranuar se janë takuar me Jetmir Bytyqin, me kërkesë të vetë bashkëshortit të Albana Bytyqit.

Në listat e certifikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas rinumërimit të votave të AAK-së, Bytyqi zuri emrin e fundit në listën e deputetëve të AAK-së, duke “rrëzuar” nga kjo listë Meliza Haradinaj-Stubllën.

Ditë më parë, dy komisionerë u ndaluan nga Prokuroria nën dyshimin për dallavere me vota. Deri te ndalimi i tyre erdhi pas publikimit të një videoincizimi në të cilin pretendohej se kandidatja e AAK-së, Meliza Haradinaj–Stublla, përmes bashkëshortit të saj, kishte manipuluar me rezultatin. Videoja po quhet inskenim nga ish-ministrja e Jashtme, ndërsa sipas dokumenteve që ka siguruar KOHA, në takimin në fjalë, sipas njërit prej të dyshuarve, ka qenë edhe bashkëshorti i deputetes së re të AAK-së.

Image

Përmes një reagimi në Facebook, pas certifikimit të rezultateve, Haradinaj–Stublla ka thënë se me largimin e saj nga lista “skema kriminale funksionoi”.

“Incizimi i inskenuar e i sponsorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30-minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponsorizuese e kësaj fushate denigruese KUNDËR MEJE”, ka thënë ajo.

Tutje, Haradinaj–Stublla ka thënë se gjithçka do të dalë para drejtësisë sapo të zbulohet identiteti i “protagonistit të tretë X1”, për të cilin ka thënë se është kryesori i “video-inskenimit”.

Ajo ka kërkuar edhe nga kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi, që të deklarohet nëse ka lidhje me këtë person siç pretendohet në video.

“Personi i tretë zbardh gjithçka... Madje edhe porositësin ‘politik’ që ka udhëzuar inskenimin e kësaj videoje dhe ka kurdisur votat në QNR!”, ka thënë më tej ajo.

KOHA ka provuar të kontaktojë të shtunën me të dy kandidatet për deputete. Teksa Haradinaj–Stublla nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike, Bytyqi ka mohuar përfshirjen e bashkëshortit të saj në këtë ngjarje.

“Nuk kemi të bëjmë ne me atë. Nuk ka qenë as bashkëshorti im, e as askush nga familja ime. Ne nuk e dimë kush e ka bërë atë. Në momentin që është publikuar incizimi kam reaguar, përndryshe nuk kam qenë në dijeni. Në momentin që e kam parë që kam mungesë të votave jam ankuar dhe kam vazhduar. Absolut asgjë tjetër. S’kemi të bëjmë ne”, ka thënë Bytyqi.

Për postimin e Haradinaj–Stubllës, Bytyqi ka thënë se “është e drejtë e secilit të shkruajë statuse”.

Ndërsa bashkëshorti i Albana Bytyqit, Jetmir Bytyqi, ka hezituar të japë përgjigje, duke thënë se “këto janë çështje që u takojnë organeve të drejtësisë”.

“Nuk më ka ftuar askush nga Policia e Prokuroria për këtë punë... Nuk është e vërtetë”, ka thënë ai, duke mos pranuar të flasë më shumë.

S.M. dhe A.K. ishin ndaluar në mesjavë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe dhënie apo marrje të ryshfetit lidhur me votimin.

Dyshime për keqpërdorime nga komisionerët në numërimin e votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit ishin ngritur nga të gjitha partitë. Shumë kandidatë për deputetë kanë paraqitur ankesa, ndërsa më të theksuara kanë qenë akuzat brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Madje, si pasojë e këtyre përplasjeve dhe raportimeve, Meliza Haradinaj–Stublla u dorëhoq nga kjo parti, por edhe nga posti i ministres së Jashtme.

Pas rinumërimit të votave të AAK-së, Haradinaj–Stublla nuk zë vend në mesin e tetë deputetëve të AAK-së.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit AAK-ja doli partia më e vogël parlamentare, me pak mbi 7 për qind. Vetëvendosje fitoi bindshëm me mbi 50 për qind, e ndjekur nga PDK-ja me 17, e LDK-ja nën 13 për qind.