Arbëri

Profesorëve që janë bërë deputetë u kërkohet të pezullojnë punën në Universitet

Foto: Koha

I gjithë stafi akademik dhe administrativ që i kanë hyrë garës për deputet, pas betimit në Kuvend do të duhet ta pezullojnë pozitën e mbajtur deri tash në Universitet.

Për këtë e ka paralajmëruar ditë më parë Rektorati i Universitetit të Prishtinës stafin e tij, duke u bazuar në Ligjin për zyrtarët publikë, që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

Sipas këtij ligji, zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës 7 ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës.

Ndërkaq, në rast të zgjedhjes në Kuvend, zyrtari publik pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, ka bërë të ditur se numri i stafit të UP-së që ka marrë pjesë në zgjedhje ka qenë rreth 20.

“Të gjithë këta, meqenëse nuk është bërë certifikimi i kandidatëve që kanë fituar mandatin në Parlamentin e Kosovës paragrafi i 6 i ligjit për zyrtarët publik e parasheh pezullimin e të drejtave dhe marrëdhënia e punës që nënkupton se kjo kategori e personelit nuk mund të jetë e angazhuar në kurrfarë procesi mësimor”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka bërë të ditur se për më shumë detaje kanë kërkuar një interpretim prej Ministrisë së Administratës publike si sponsorizuese e Ligjit për zyrtarë publikë.

Pas opinionit, ka shtuar se presin që ligji të zbatohet nga i gjithë stafi.

“Ka hezitim nga stafi akademik për shkak se i bie të shkëputen pak nga procesi mësimor për një periudhë 4 vjeçare ose mund të rizgjedhen në mandatin e dytë mirëpo ky ligj është miratuar prandaj edhe duhet të respektuar”, ka shtuar ai.

Një nga kandidatët që i ka fituar votat për deputet është edhe Fitim Uka nga Vetëvendosje. Ai e ka pezulluar pozitën në universitet.

“Unë nuk dua të komentoj arsyeshmërinë e një kërkese të tillë për pezullim, sado që jam i bindur që një ‘palë këpucë’ nuk iu bien tamam të gjithëve dhe sado që besoj që angazhimi në Kuvend dhe në Qeveri dallon substancialisht edhe për nga volumi edhe për nga përgjegjësia. Por, për të respektuar ligjin, kam realizuar pezullimin dhe mbes me shpresë që ligji do të zbatohet nga të gjithë, meqë në të kaluarën nuk ka qenë kështu”, thuhet në përgjigjen e Ukës.

Në mesin e stafit akademik të UP-së që kanë fituar vota për t’u zgjedhur deputetë janë edhe Vjosa Osmani, Avdullah Hoti, Enver Hoxhaj, Eliza Hoxha, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Albena Reshitaj e Ardian Gola.

Për 4 të parët KOHA e ka konfirmuar se tashmë veçse e kanë pezulluar pozitën në UP.