Arbëri

Mbrojtja e dy të dyshuarve për manipulimin me vota kërkon që rasti të shkojë në procedurë të rregullt

Dy të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës gjatë zgjedhjeve dhe marrje ryshfeti në lidhje me vota kanë dalë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Seanca u mbajt në lidhje me kërkesën e Prokurorisë që të dyve t’iu caktohet masa e paraburgimit. Por mbrojtja e tyre ka kundërshtuar masën e paraburgimit.

Arben Geci, avokati i të dyshuarit A.K., ka thënë se ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për klientin e tij.

“Prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit, ne e kemi kundërshtuar për arsye se nuk janë plotësuar kushtet sipas nenin 106, paragrafi 2. Kështu që tash pritet të vendosë gjyqtari nëse do të caktojë masën e paraburgimit apo rasti do të shkojë në procedurë të rregullt”, tha Geci.

Ndërkaq, Hamdi Podvorica, avokati i të dyshuarit S.M., ka konfirmuar se klienti i tij akuzohet për falsifikim të rezultateve të votimit dhe dhënies-marrjes së ryshfetit, por ata janë duke pritur vendimin e Gjykatës.

“Ajo që mund të them tani për tani është se ata akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit dhe dhënies-marrjes së ryshfetit, por presim vendimin e Gjykatës. Mbrojtja e ka kundërshtuar pretendimin se ata kanë kryer vepër penale, por kjo do të vërtetohet në zhvillimet e mëtejme të procedurës”, theksoi Podvorica.