Arbëri

Paralajmërohen takime mes partive për çështjen e presidentit, AAK-ja s’heq dorë nga kërkesa e saj

Descriptive Text

Çështja e zgjedhjes së presidentit pritet t`i bëjë bashkë partitë politike në vend. 

Në prag të përfundimit të mandatit gjashtëmujor të ushtrues së presidentes, Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar diskutime me subjektet e tjera.

Deputetja e zgjedhur nga Lista e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka thënë se nuk është në interes të Kosovës që të shkohet në zgjedhje si rezultat i dështimit të zgjedhjes së të parit të shtetit.

“Besoj që në ditët në vijim do të ketë edhe diskutime dhe trajtim normal ndërpartiak me subjektet e tjera për pozicionimet e tyre politike kur të votohet presidentja”, ka thënë ajo.

Lidhur me planin e Vetëvendosjes për zgjedhjen e presidentit e diskutimeve eventuale me partitë, KOHA ka kërkuar më shumë detaje nga kjo parti. Por, të enjten zyrtarë të saj kanë refuzuar të deklarohen për këtë çështje.

Në anën tjetër, përkundër rezultatit të zgjedhjeve, i cila ka renditur të katërtën AAK-në, kryetari i saj nuk ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit.

“Aleanca ka dalë në zgjedhje, ka pasur një ofertë nëse dikush ka interes me diskutuar me ne në jemi të hapur, ajo që dihet e që nuk na e merr askush, opozitë jemi edhe do të jemi në shërbim të vendit. Kemi dalë në zgjedhje me ofertë kemi po atë ofertë, nëse dikush kërkon partneritet me ne, nëse jo e ndihmojmë vendin nga pozicioni i opozitës”, ka deklaruar Haradinaj.

Derisa ka thënë se pranojnë rezultatin zgjedhor, kreu i AAK-së ka bërë thirrje që konstituimi i institucioneve të bëhet sa më shpejt.

Për zgjedhjen e presidentit, të enjten, nuk kanë pranuar të deklarohen as nga Partia Demokratike e Kosovës. Derisa nga LDK-ja janë në pritje të zgjedhjes së udhëheqjes së re për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.

Vjosa Osmani mori postin e të parës së shtetit më 5 nëntor, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit. Sipas Kushtetutës, ushtrimi i detyrës së presidentes nuk mund të bëhet më gjatë se gjashtë muaj.