Arbëri

Palmeri i thotë Osmanit se SHBA-ja do të koordinohet me BE-në për dialogun

Descriptive Text

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohje reciproke, kanë thënë u.d e presidentes Vjosa Osmani dhe zëvendësndihmës sekretari në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer gjatë një takimi virtual.

Palmer theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo sipas tij, do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit dhe në rajon.

Ai konfirmoi përfshirjen e SHBA-së si partner në procesin e dialogut duke i koordinuar edhe qëndrimet me BE-në.

Ndërsa, Osmani tha se qasja e presidentit amerikan Joe Biden se dialogu duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke, është mirëpritur në Kosovë. Shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë, e në këtë kontekst përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën e me shoqërinë civile si dhe koordinimin e vazhdueshëm me aleatët tanë.

Osmani ka thënë se fokusi aktual është në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese, duke theksuar se me rëndësi është moszvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve.