Arbëri

“Kosova ka dështuar të përkrahë sektorin privat gjatë pandemisë”

Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportuesve Rrugorë, ka thënë se më 17 mars për dy ditë radhazi do të ndërpritet transporti ndërurban i operatorëve publikë.

“Shoqata ka marrë vendim që nga 17 mars të ndalojë transportin si shkak i mosrealizimit të kërkesave të operatorëve publikë të transportit, të premtuara nga institucionet. Më 17 mars fillimisht do ndërpritet transporti për dy ditë, nuk do ketë asnjë lloj transporti ndërurban. Nëse nuk plotësohen kërkesat do vazhdojmë me protesta në Prishtinë”, tha ai në Express intervistë.

Tha se në mbledhjen e shoqatës ku u mor ky vendim, të gjithë anëtarët kanë qenë unanim për marrjen e vendimit për ta ndalur transportin për dy ditë.

Ai ka kërkuar ndihmë nga institucionet e vendit, pasi thotë se dëmi nga pandemia me COVID-19 është shumë i madh për ta.

“Bizneset janë buzë falimentimit dhe pa ndihmën e shtetit nuk mund të shkohet më sepse masat që janë ndërmarrë kundër COVID-19 kanë ndikuar drejtpërdrejt në transport. Dëmi ka qenë shumë i madh. Një përllogaritje që e kemi nga 1 qershori kur është filluar të punohet me gjysmën e kapacitetit, janë 6.5 milionë euro dhe kjo shumë është vetëm për të mbuluar shpenzimet apo për të mundësuar mbijetesën e operatorëve”.

Kurtishaj thotë se bizneset gjatë kësaj kohe pandemia janë futur edhe në borxhe e që sipas tij edhe me to tash nuk po mund të funksionojnë më.

Kërkesa jonë për subvencionim është kërkesë minimale për mbijetesë, nuk kemi kërkuar asnjë pagesë shtesë për muajt që kemi qëndruar jashtë.

Ai tha se “Kosova ka dështuar të përkrahë sektorin privat gjatë pandemisë”.

Shkaku i hyrjes në protestë është për shkak të mospërmbushjes së premtimit dhe marrëveshjes së nënshkruar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe kësaj shoqate, kishte sqaruar sot në një konferencë vetë Kurtishaj. Moslejimi i shfrytëzimit të të gjithë kapacitetit për operatorët ekonomike gjatë pandemisë, thotë se i ka dëmtuar mjaft shumë dhe se këtë kërkojnë ta ndryshojnë.