Arbëri

Kroacia do ta rrisë praninë ushtarake në Kosovë në misionin e KFOR-it

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq

Kroacia do ta rrisë numrin e pjesëtarëve të saj në misionin e KFOR-it në Kosovë në javët në vijim, ka thënë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel, në konferencën pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s e ka falënderuar Kroacinë, duke e quajtur “anëtare të rëndësishme të aleancës” për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre viteve për forcimin e sigurisë së përbashkët, përballjen me kërcënimet e sigurisë dhe për misionet e NATO-s nga Afganistani deri në Kosovë.

Plenkoviq ka thënë se Kroacia është e nderuar të jetë anëtare e NATO-s dhe të mund të japë kontribut.

“Ju përmendet Kosovën dhe praninë tonë. Në javët që vijnë do të rrisim praninë tonë në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kroacisë.

Edhe shefi i NATO-s dhe kryeministri kroat kanë thënë se lidhjet e forta transatlantike janë me rëndësi jetike për NATO-n, transmeton TCh. Ata madje kanë paralajmëruar se këto lidhje do të forcohen këtë vit kur edhe do të zhvillohet një samit i NATO-s në Bruksel.

Kroacia ka përfunduar vitin e shkuar pjesëmarrjen e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Afganistan. Që atëherë, Kroacia ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e rritjes së kontributit të saj në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të NATO-s Kroacia ka 37 pjesëtarë në misionin e KFOR-it nga rreth 3.500 pjesëtarë sa janë në këtë mision ushtarak.

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka nisur angazhimin në qershor të vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes tekniko-ushtarake mes NATO-s dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave, me çka i është dhënë fund fushatës ajrore kundër forcave serbe.