Arbëri

Kusari-Lila paralajmëron diskutime me partitë për presidentin

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në ditët në vijim VV-ja do të ketë diskutime me subjektet politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërkaq deklaroi se ajo nuk do të ketë rol ekzekutiv në qeverinë e re si pasojë e aktakuzës të ngritur ndaj saj vitin e kaluar nga Prokuroria Speciale.

Kusari-Lila tha se duhet biseduar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, derisa për formimin e qeverisë thotë se nuk ka nevojë domosdoshmërish për koalicione.

Sipas saj, dështimi për zgjedhjen e presidentit nuk është në interes të qytetarëve, duke shtuar se Osmani është zgjidhja e duhur pasi e ka dëshmuar se ka mbështetje popullore me votat e fituara në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Nuk e besojmë që partitë të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhje e shohin si moment të duhur të paktën që të shkohet në zgjedhje natyrisht që pozita dhe zyra e presidentit në këtë rast presidentes paraqet personin e autoritetin unifikues dhe po besoj që mbështetja e madhe që i është dhënë Vjosa Osmanit në këto zgjedhje me personin më të votuar ndonjëherë në Kosovë me 300 mijë vota tregon që për herë të parë arrihet komplet qëllimi i të pasurit një person që ka mbështetje popullore masive siç e ka Vjosa Osmani. Gjithashtu besoj që në ditët në vijim do të ketë edhe diskutime dhe trajtim normal me subjektet e tjera për pozicionimet e tyre politike kur të votohet presidentja, por nuk e shoh në interes të përgjithshëm qytetar tash duke u distancuar edhe nga pozita politike e deputetes që është në interes të ditur që Kosova të ballafaqohet edhe me një palë zgjedhje si rrjedhojë e dështimit të zgjedhjes së presidentes”, shtoi ajo.

Tutje sa i përket formimit të Qeverisë, ajo tha se përfaqësues të pakicave jo serbe janë në mbështetje të qeverisë Kurti.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë është deklaruar së nuk do të marrë post ekzekutiv për shkak të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut.

“Unë jam deklaruar se unë nuk do të marrë post ekzekutiv dhe arsye është krejtësisht personale ka të bëjë me rrethanat të cilat janë krijuar në situatën time pas ngritjes së aktakuzës konsiderojë që është e padrejtë dhe e pamoralshme që këtë pozicion të ngarkohem me një pozitë e cila do i shkakton probleme politike koalicionit apo qeverisë së re. qeveria ka ardhur me mandatin që të ketë fokus problemet e rënduara qytetare. Dhe nuk kanë për ngarkesa të natyrës luftës politike dhe ndërpartiake përkundrejt faktit që rrethanat dhe mënyra se si është ngritur aktakuza tregon një sistem jofunksional”, tha Kusari-Lila për Ekonomia Online.