Arbëri

Gashi: Padia ndaj Martyt mundësi për zbardhjen e të vërtetës mbi dyshimet për krime nga UÇK-ja

(Ekonomia Online) - Avokati Tomë Gashi, beson se padia ndaj ish senatorit zviceran Dick Marty, ish – Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, Jose Pablo Baraybar- kryesues i zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore ne kuadër te UNMIKU-t, do të jetë një mundësi e mirë për zbardhjen e të vërtetës mbi dyshimet për krime lufte nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ai beson se përmes kësaj padie dhe zbardhjes të së vërtetës do të kishte mundësi për zhbërjen e Gjykatës Speciale në mënyrë ligjore.

“Ne besojmë se fare lehtë mund ta argumentojmë se Dick Marty me raportin e tij, ka mashtruar Këshillin e Evropës i cili përmban trillime për të cilat kurrë s’kanë ndodhur në shtëpinë e familjes Katuçi. Dhe pastaj institucionet e Kosovës pasi të vërtetohet se gjithçka ka qenë e rrejshme besoj që do të gjenden modalitete për ta ndaluar punën e Gjykatës Speciale, por në mënyrë të ligjshme”, tha Gashi.

Gashi i cili është autorizuar nga Mersin Katuçi, i fshatit Gurë i Republikës së Shqipërisë, për të ngritur padi ndaj Dick Marty dhe të tjerëve për akuzuat se në shtëpinë e tij kanë ndodhur krime dhe heqje të organeve nga ish-ushtarët e UÇK-së, ka thënë se ka kërkuar edhe raportin e Clint Williamsonit, por që atë sipas tij, nuk e posedon askush.

“Kam kërkuar këtë dokument nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, i cili është njoftuar por është kërkuar t’i drejtohem Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe po ashtu kam kërkuar në bazë të autorizimit të familjes raportin e Clint Williamson dhe përgjigja e Prokurorisë Speciale, kryeprokurorit Blerim Isufaj është që këta nuk e kanë raportin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se raportin e ka kërkuar dhe nga Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Xhek Smith për të cilin po pret përgjigje, por thotë se nuk do të presin gjatë dhe se padia do të dorëzohet.

“Ne jemi duke e pritur sigurimin e raportit të prokurorit amerikan Williamson i cili faktikisht është një lloj kallëzimi penal. Paditë do të jenë penale dhe civile”, tha Gashi.

Të martën, Gashi ka njoftuar se në cilësinë e avokatit të Mersin Katuçit, po përgatitë kallëzim penal dhe padi civile kundër Martyt, duke shtuar edhe emrat e tjerë ndaj të cilëve do të ushtrohet padi.

“Raporti i rrejshem i Dick Martyt vuri ne lajthim Këshillin e Evropes i cili autorizoi prokurorin amerikan ne kuader të EULEX-it Clint Williamson qe të hetoj keto pretendine, dhe 82 deputet e Republikes se Kosoves në gusht të vitit 2015, u vunë në lajthim pa e poseduar fare raportin e Clint Williamson, votuan Gjykaten Speciale”, ka shkruar dje Gashi.